Reshjet e shiut po bëjnë kërdinë në kryeqytet. Kanë mjaftuar reshjet që nga mesnata që Tirana të notonte në ujë, të kishte kaos, trafik të rënduar, mjete të bllokuara në autostradë, rrugë e biznese të përmbytura.
Situata paraqitet problematike për 4 shkolla, ndërsa pritet të evakuohen nxënësit. E përmbytur rezulton të jetë shkolla “Gustav Majer”.
Kritike gjendja është edhe në kthesën e Rinasit, ku drejtuesit e mjeteve janë bllokuar në rrugë dhe kanë hipur sipër makinave si pasojë e vërshimit të madh të reshjeve në rrugë. “Jemi sipër makinave për të shpëtuar kokën”,- thonë ata. Për t’ju ardhur në ndihmë kanë shkuar 3 zjarrfikëse me autoshkallë.
Sakaq, burime të BalkanWeb e News 24 konfirmojnë për 20 banesa të përmbytura në Kamëz.
Përveç zonës problematike të Don Boskos, janë përmbytur edhe në rrugët kryesore. Raportohet për përmbytje tek Komuna e Parisit, tek kryqëzimi i Presidencës, Kombinati, si dhe shumë rrugë të tjera.
Autostrada Tiranë-Durrës, në segmentin kthesa e Kasharit – Vorë vijon të jetë e bllokuar që nga mëngjesi, ndërsa niveli i ujit në kthesën e Kasharit është 50 centimetra, duke rrezikuar të përmbysë edhe banesat.
Policia Rrugore ka ndërhyrë duke evakuuar disa qytetarë të cilët kishin mbetur të bllokuar në makina./BW/a.m.