Mosnjohja e Kosovës si shtet në Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim (MSA), si dhe në shumicën e dokumenteve të Bashkimit Evropian, është cilësuar si pasojë e mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat – posaçërisht Spanja dhe Qiproja – nuk pritet se do ta ndryshojnë këtë pozicion ndaj shtetësisë së Kosovës.
Këto janë rezultate që janë nxjerrë në një analizë të gazetarit të “Kohës Ditore”, Augustin Palokaj, bërë bashkë me Gjeraqina Tuhinën, korrespondenten e RTK-së në Bruksel, e që u prezantuan në konferencën “Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së”, organizuar të hënën nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Qëllimi i konferencës, i drejtuar fillimisht në hapjen e saj nga Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, ka qenë që të nxjerrë në pah sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, si drejt qeverisjes së mirë, ashtu dhe drejt procesit të integrimit evropian. Nënshkrimi i MSA-së është parë si hap i rëndësishëm, por jo si një e arritur e madhe në vetvete.
Gazetari Palokaj ka thënë se të gjitha shtetet e kanë parë MSA-në si hapin e parë drejt integrimit në BE. (b.an)