Shpenzimet kapitale në vitin 2017 llogariten 74.4 miliardë lekë ose 4.7 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, përfshirë këtu dhe Fondi i Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetja buxhetore për sektorin e energjisë prej 1.5 miliardë lekësh).
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm llogariten 36.4 miliard lekë, ndërsa ato me financim të huaj 27.4 miliard lekë. Sipas burimit të financimit rreth 87 % e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe 13% e investimeve do të shkojnë për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.
Buxheti i vitit 2017 pritet të konfirmojë vazhdimësinë e rritjes ekonomike, uljen e borxhit me një balancë primare pozitive, rritje pagash dhe pensionesh. Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi javën e shkuar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së se për tre vite radhazi kemi përshpejtim të rritjes ekonomike. Sipas tij, parashikohet përshpejtim i rritjes edhe në vitin 2017 (nga 3.4% për 2016 në 3.8%).
Rritja ekonomike mbështetet tek kërkesa e brendshme si dhe Investimet e huaja të drejtpërdrejta (veçanërisht në sektorin e energjisë). Rigjallërimi i rritjes ekonomike do të ndikojë dhe në rënien e mëtejshme të papunësisë që ka dhënë shenja pozitive që vitin e kaluar.
Në vitin 2010 janë investuar, 67.5 miliardë lekë. Në vitin 2011, 68.9 miliardë lekë. Në vitin 2012, 61.12 miliardë lekë. Në vitin 2013, 65.5 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2014 janë investuar 70 miliardë lekë. Në vitin 2015, 74 miliardë lekë dhe në 2016 janë planifikuar rreth 78 miliardë lekë./a.m.