Janet Reno, gruaja e parë e cila shërbeu si Prokurore e Përgjithshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare. Sipas familjarëve të saj, ajo vdiq në orët e para të së hënës, për shkak të komplikimeve në shëndet të lidhura edhe me sëmundjen Parkinson, nga e cila Reno vuante prej mëse 20 vitesh.
Një nga figurat më të njohura dhe më të polarizuara, që shërbeu për rreth 8 vjet nën administratën e Presidentit Bill Clinton, koha më e gjatë e shërbimit për një Prokuror të Përgjithshëm, Reno njihej për retorikën e saj “pa doreza”. Megjithatë, ajo është gjithashtu e njohur edhe për skandalet të cilat shënuan presidencën Clinton, si Whitewater, Filegate apo Monica Lewinsky.
Ish-prokurorja e Miami-t u zgjodh nga presidenti pasi dy alternativat e para të tij, hasën në probleme me Shtëpinë e Bardhë shkruan Ora. Pas largimit nga Uashingtoni, Reno u rikthye në Florida dhe në 2002, ajo garoi për t’u bërë guvernatore e shtetit, post të cilin nuk arriti ta fitonte. Kjo fushatë i dha fund edhe karrierës së saj të gjatë publike.
Reno u lind në 21 korrik 1938, në Miami, nga dy prindër gazetarë. Ajo ndoqi shkolla publike në vendlindje dhe mori diplomën e saj në kimi nga Universiteti Cornell në 1960. Vetëm tre vite më vonë, ajo u diplomua për drejtësi në universitetin prestigjioz të Harvard./a.m.