Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu komentoi për rolin e shqiptaro-amerikanëve në përparimin e Shqipërisë. Zoti Lu i bëri komentet në prag të samitit të diasporës që mbahet në Tiranë nga 18 deri në 20 nëntor.
“Doja ta filloja këtë intervistë me një histori, – tha zoti Lu. Është një fotografi e famshme e një djali sirian që u përhap në internet në mbarë botën. Ai ishte plagosur në një sulm ushtarak dhe ishte i përgjakur.
Kur presidenti Obama shkoi në Kombet e Bashkuara në shtator, ai foli rreth një fëmije amerikan që quhej Aleks, i cili i kishte shkruar një letër ku i kërkonte ta sillte djalin e vogël sirian në shtëpinë e tij.
“Dua që ai të jetë pjesë e familjes sonë, dhe ai do të jetë si vëllai im”, shkruante Aleksi. Letra e gjashtëvjeçarit u bë e famshme në mbarë botën dhe të gjithë mësuan se ai ishte shumë i veçantë. Ata nuk e dinin në fakt që ai ishte një shqiptaro-amerikan. Prindërit e tij janë nga Shqipëria.
Kjo më kujton mënyrat e ndryshme me të cilat shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend imigrantësh dhe në Amerikë ka 214 mijë shqiptarë që punojnë në fusha të ndryshme të jetës. Ata janë atletë, lojtarë hokei, lojtarë futbolli, muzikantë, artistë hip-hopi, regjisorë filmash, biznesmenë, shkencëtarë, dhe ka nga ata që shërbejnë në forcat e armatosura amerikane duke sakrifikuar çdo ditë për sigurinë e vendit tonë.
Ne kemi patur politikanë që kanë qenë shqiptaro-amerikanë. Ish-kongresmeni nga Nju Jorku, Joe Dioguardi është shqiptar-arbëresh.
Kryetari i bashkisë së Usterit në Masaçusets dhe ai i bashkisë së Nju Orlinsit në Luiziana janë shqiptaro-amerikanë. Kemi një shqiptaro-amerikane që është një atlete e famshme olimpike: Enkelejda Shehaj është një nga qitëset më të mira në botë. Ajo mori pjesë në lojrat olimpike të vitit 1992 në Barcelonë dhe mori pjesë atje si përfaqësuese e Shqipërisë. Pas trazirave të 1997-ës imigroi në Shtetet e Bashkuara. Verën e kaluar ajo konkurroi në Rio si amerikane edhe njëherë pas 24 vjetësh.
Kemi shqiptaro-amerikanin Ferid Murad i cili fitoi çmimin Nobel në mjeksi në vitin 1998. Dhe sigurisht, shqiptaro-amerikanët ndoshta më të famshëm janë vëllezërit, Xhim dhe Xhon Belushi, aktorë që unë i kam ndjekur kur isha fëmijë. Të gjitha këto raste më kujtojnë gamën e gjerë të kontributeve që shqiptaro-amerikanët kanë dhënë për vendin tim dhe ky kontribut vetëm sa ka filluar.”
I pyetur se çfarë roli mund të luajë diaspora shqiptare e Amerikës në përparimin e Shqipërisë, zoti Lu tha:
“Ne e dimë se ka qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në SHBA. Ajo që njerëzit mund të mos e dinë është se në Shqipëri vijnë çdo vit mbi 100 mijë amerikanë dhe shumë prej atyre janë shqiptaro-amerikanë. Kjo shpjegon pasurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Diçka tjetër që njerëzit mund të mos e dinë, – tha ambasadori Lu, – është sot në Shqipëri jetojnë në mënyrë të përhershme rreth 20 mijë amerikanë, shumë prej të cilëve janë shqiptaro-amerikanë dhe punojnë çdo ditë për të kontribuar në të mirë të përparimit të Shqipërisë.
Kam takuar shqiptaro-amerikanë që vijnë në Shqipëri dhe që dëshirojnë të kontribuojnë për arsimin. Njëri prej tyre mendon të hapë një universitet amerikan këtu. Kam takuar biznesmenë shqiptaro-amerikanë që shpresojnë të investojnë në infrastrukturë, në fasone dhe në biznesin bankar.
Ka shqiptaro-amerikanë që janë anëtarë të parlamentit, një shqiptaro-amerikan shpreson të themelojë një bankë amerikane investimesh këtu. Ka shqiptaro-amerikanë që punojnë në mjekësi e në arsim.
Madje kam katër shqiptaro-amerikanë të mrekullueshëm që punojnë këtu në ambasadë. Një punon në zyrën time si sekretar për zv/ambasadorin, një tjetër është oficer i sigurisë diplomatike, një është prokuror federal amerikan, i cili punon për krimet e rënda në çështje shumë të vështira të antikorrupsionit. Njëra është agjente e FBI-së. Ajo punon çdo ditë me policinë për çështje të antikorrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndoshta historia ime e preferuar është ajo me Rrok Mirditën, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Ai ishte kryeipeshkvi katolik për Durrësin dhe Tiranën. Ai ishte shqiptaro-amerikan. Ai emigroi në SHBA kur ishte djalë i ri, u rrit në Nju Jork, u bë prift në moshën 25-vjeçare dhe shumë vite më vonë, Papa Gjon Pali i Dytë e emëroi në Shqipëri.
Ai e ringriti kishën katolike pas komunizmit dhe shpenzoi 25 vjet nga jeta e tij në shërbim të katolikëve shqiptarë. Në një farë mënyre, ai është babai i kishës katolike këtu në Shqipëri dhe shumë shqiptarë si dhe amerikanë ushqejnë ndjenja respekti për kontributin e tij.
Gjithnjë e më shumë shqiptaro-amerikanë vijnë në Shqipëri çdo vit dhe kam besim se sa më shumë të vijnë aq më shumë do të rritet kontributi i tyre vit pas viti”.
shqiptarja.com/d.i.