Vijon zbatimi i masave nga Policia rrugore për rritjen e parametrave të sigurisë ndërsa është zbatuar një plan i veçantë për fundjavën.
Gjatë punës së policisë në 24 orët e fundit janë evidentuar 168 gjoba vetëm për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit nga shoferët.
Në një nga rastet e publikuara, policia ndjek një shofer që ishte evidentuar duke folur në telefon dhe i komunikon arsyen e ndalimit dhe masën e gjobës. Shoferi nuk ka pasur kundërshtime.
Polici: Përshëndetjes, si je?
Qytetari: Si kalove?
Polici: Arsyeja e ndalimit, përdor aparatin telefonik gjatë drejtimit të mjetit. Mund të shoh pak dokumentet të lutem?
Polici: Zoti… do marrësh një masë gjobe për përdorimin e aparatit telefonik. 1500 lekë është vlera e gjobës.
Polici: Nëse ke ndonjë pretendim për shkeljen do shkruash këtu.
Qytetari: Po, jo mo!
Polici: Nëse s’ke, emër, mbiemër, firmë. (qytetari firmos)
Polici: Ditë të mbarë, mirupafshim! Kujdes në rrugë!
Siguria në rrugë, Policia vendos 1630 gjoba për 24 orë
Policia Rrugore në të gjithë vendin gjatë fundjavës është fokusuar më tepër në drejtim të:
• Evidentimit dhe ndëshkimit të gjithë atyre drejtuesve që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
• Ndëshkimit të drejtuesve që drejtojnë automjetin me shpejtësi tej normave të lejuara.
• Të atyre drejtuesve që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit.
• Të atyre drejtuesve dhe pasagjerëve që nuk përdorin rripin e sigurimit.
• Evidentimit dhe ndëshkimit të të gjitha shkeljeve të tjera të Kodit Rrugor.
Në këtë kuadër gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë arrestuar 10 drejtues mjetesh, nga të cilët: 4 në gjendje të dehur, 3 të pa pajisur me leje drejtimi si dhe 3 për shkelje të rregullave të Kodit Rrugor duke shkaktuar aksident me pasoja në njerëz.
Janë pezulluar 87 Leje Drejtimi, nga këto:
39 për alkool, 38 për shpejtësi si dhe 10 për semafor e shkelje të ndryshme.
Janë vendosur:
168 masa administrative për përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit.
198 masa për mos vendosje të rripit të sigurimit.
223 masa për shpejtësi tej normave të lejuara.
32 masa për mungesë të kaskës mbrojtëse
1009 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore do të vijojë punën në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë ditëve të javës, me qëllimin e vetëm, ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke bërë të mundur rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
BW/d.i.