Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vdekjes së aktivistit të saj Astrit Dehari, për të cilin thotë se mbahej në burg prej 68 ditësh si i burgosur politik me prova të fabrikuara në një proces të montuar gjyqësor.
Përmes një komunikate për media Vetëvendosje mban përgjegjës për vdekjen e tij zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës, transmeton Koha.net.
“Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja Vetëvendosje mban pikësëpari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara”, thotë VV.
Ajo ka kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësi institucionale për humbjen e jetës së Astrit Deharit, citon Koha. (b.an)