Rënia e interesave të kredive po ndihmon uljen e kostos të financimit të investimeve të reja nga bizneset.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, interesi mesatar i kredive të reja në lekë, me qëllim blerjen e makinerive dhe pajisjeve, në muajin gusht të këtij viti zbriti në 6.89%, nga 7.15% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 7.95% që kishte qenë në fund të vitit 2014.
Një tendencë të ngjashme kanë edhe interesat e kredive në euro, që në fund të gushtit kishin një interes mesatar prej 4.62%, ndërkohë që në fund të vitit të kaluar interesi mesatar i kredisë ishte 6.05%.
Këto të dhëna tregojnë se biznesi paguan mesatarisht më pak për të kryer investime të reja me kredi bankare.
Në teori, ky është një faktor që nxit investimet në ekonomi. Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, investimet kanë qenë motorri kryesor i rritjes ekonomike për vitin e kaluar dhe gjysmën e parë të këtij viti.
Për dy tremujorët e parë të këtij viti, formimi bruto i kapitalit fiks, si komponent i Prodhimit të Brendshëm Bruto, u rrit mesatarisht me 5.85%. Edhe ulja e çmimit të kredisë duket se ka qenë një faktor që e ka ndihmuar rimëkëmbjen e investimeve vitin e kaluar.
Megjithatë, sistemi bankar mbetet i kujdesshëm në financimin e projekteve të reja të biznesit, çka është konfirmuar në vijimësi nga vrojtimet e kryera nga Banka Qendrore.
Sipas bankave, sipërmarrja duhet të rrisë nivelin e menaxhimit dhe të organizimit, ndërkohë që domosdoshmëri për më shumë kreditim është edhe përmirësimi i kuadrit ligjor të mbledhjes së borxheve dhe ekzekutimit të kolateralit.