Gjatë muajit tetor, Policia Rrugore e Tiranës ka konstatuar më pak drejtues mjetesh që lëvizin pa rrip sigurimi, por ata që përdorin celularin kur janë në timon janë gati dy herë më shumë.
E përkthyer në shifra, gjatë muajit që kaloi, janë ndëshkuar me gjobë për përdorim celulari 2264 drejtues mjetesh, ndërsa për rripin e sigurimit 1252, 915 gjoba më pak sesa në nisje të aplikimit të masave të reja administrative shkruan Panorama.
Drejtues të Policisë Rrugore e shpjegojnë këtë diferencë me faktin se fushata sensibilizuese për rripin e sigurimit pati efektin e saj, duke qenë se nisi edhe më përpara fushatës për celularin. Por nga ana tjetër, edhe vlera e lartë e gjobës për rripin e bllokimi i patentës i ka ndërgjegjësuar edhe më shumë shoferët.
Ndërsa masat për përdorimin e celularit, veç faktit se kanë nisur vetëm prej tri javësh, mbeten në rritje edhe për faktin se gjoba për këtë rast vijon të jetë 1500 lekë. Pra, është 10 herë më e ulët sesa vlera maksimale e gjobës për mosvendosje të rripit të sigurimit. Sipas ekspertëve, rritja e gjobës për rripin e sigurimit ka rezultuar mjaft efikase, pasi thuajse 90 për qind e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve momentalisht e vendosin rripin.
E njëjta pritshmëri është edhe për përdorimin e celularit, në momentin që të nisë aplikimi i gjobave të reja, që janë propozuar të jenë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të rinj.
GJOBAT
Sipas statistikave të Policisë Rrugore të Tiranës, për muajin tetor, vihet re një rritje e numrit të gjobave krahasuar me muajin paraardhës.
Në total rezulton të jenë ndëshkuar me masa administrative mbi 13 mijë drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Ndërsa janë arrestuar 47 shoferë, nga të cilët 40 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 7 për mungesë të lejes së drejtimit. Policia Rrugore e Tiranës, veç planit të përhershëm të masave në fundjavë, për parandalimin e aksidenteve rrugore, çdo ditë ka në terren grupe kontrolli për mjetet që transportojnë nxënësit e shkollave, të cilët nuk përdorin rripin e sigurimit.
Nga ana tjetër, efektivët e Qarkullimit së fundmi janë angazhuar edhe për goditjen e rasteve të garave të paligjshme, me makina të modifikuara, që janë kthyer në një rrezik potencial për qytetarët./a.m.