Gentian Rexhepi, djalë i ish-guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, do të vuajë tre vjet më pak burg për vrasjen e Arben Gashit, që kishte ndodhur gjatë një përleshjeje ndërmjet dy grupeve para restorantit “Garden”, në vitin 2009.
Gjykata e Apelit së fundi e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e klasifikuar veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje të rëndomtë, shkruan Koha Ditore.
Fillimisht, ai ishte dënuar me 22 vjet burgim. Mirëpo, pas kthimit në rigjykim i është zbritur dënimi në 19 vjet burgim në shkurt të këtij viti. I akuzuar bashkë me Rexhepin ka qenë edhe Albert Isufi.
Edhe pse Isufin, Gjykata e Shkallës së Parë dy herë e ka dënuar me pesë vjet burgim për shtytje në vrasje, Apeli tani e ka shpallur të pafajshëm, duke vlerësuar se nuk është vërtetuar kryerja e kësaj vepre. (b.an)