Stetësja me inicialet R.I, që denoncoi skandalin seksual me kryegjyqtarin e Gjirokastrës Guximtar Boçi, ka udhëtuar një fundjavë me këtë të fundit, drejt Kosovës. Një fakt i tillë është provuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda duke verifikuar hyrje-daljet në sistemit TIMS, mes kufirit me Shqipërinë dhe Greqinë. Veç kësaj prove, prokuroria ka administruar dhe një provë tjetër në dosje që vërteton udhëtimin e R.I, drejt Kosovës. Një fakt të tillë e deklaron gjyqtarja Blerta Çibuku (Marku), e cila gjatë dëshmisë së dhënë dje para prokurorëve të çështjes ka treguar se shtetësja R.I, ka qënë pjesë e një udhëtimi në Kosovë, udhëtim ky që është kryer me të gjithë stafin e gjykatës së Gjirokastrës. Sipas, gjyqtares Çibuku, ajo ka vënë re se në automjetin ku udhëtonin gjyqtarët ishte dhe shtetësja R.I, të cilës ajo i gjykonte një kërkesë padi për çështjen e ndarjes së një pasurie. E pyetur nga prokurorët se në çfarë cilësie ishte bërë kjo shtetase pjesë e vizitës së gjyqtarëve në Kosovë, gjyqtarja Çibuku nuk ka qënë në gjëndje të japë shpjegime për këtë pjesë, duke pohuar se vetëm e kishte parë në makinë dhe se s’ka pasur asnjë komunikim me të gjatë kësaj vizite dy ditorë në Kosovë. Prokuroria thotë se pjesë e kasaj vizite ka qënë dhe kryeqjyqtari i Gjirokastrës Guximtar Boçi, i cili ka qënë organizatori i kësaj vizite e zhvilluar gjatë vitit 2015.
Bisedova me R.I
Gjyqtarja Blerta Çibuku (Marku), ka pranuar se ka biseduar disa herë me shtetasen R.I, e cila sipas gjyqtares i ka shkuar disa herë në zyrë, duke i kërkuar që të favorizohej për çështjen e ndarjes së prons. Çibuku, ka pohuar se rregjistrimi i bisedës është i vërtetë. Çibuku ka shpjeguar se ka gjykuar çështjen dhe mbi bazën e provave të shqyrtuara kishte vendosur në favor të ish-vjehrrës së denoncueses për pronën e tyre në Gjirokastër. Gjithashtu, ajo i ka thënë hetuesve gjatë marrjes në pyetje se për çështjen kishte pas ndërhyrje dhe interesim edhe nga kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, tashmë i shkarkuar nga kjo detyrë Guximtar Boçi. Por siç është shprehur Çibuku, nuk ka ndikuar kjo ndërhyrje në vendimarrje.
“Humba gjyqin se refuzova Boçin”
Nga ana tjetër, 38 vjeçarja në dëshminë e saj dhënë para hetuesve ka treguar se ka qenë ndërhyrja e kryetarit të gjykatës që ajo të humbë çështjen, pasi nuk kishte pranuar të krijonte lidhje intime. Prokuroria për Krime të Rënda,pas publikimit të audio-përgjimit të të dëmtuarës, ku dëgjohej qartë ngacmimet seksuale të kryetarit të gjykatës Guximtar Boçi ka nisur hetimet për akuzën e “Korrupsionit duke kërkuar favore seksuale”. Akuzë për të cilën pritet të japë shpjegime edhe vet gjyqtari Boçi tashmë i pezulluar nga detyra me vendim të KLD-së.
Shqiptarja/d.i.