Xhani De Biazi është prezent në takimin e përvitshëm të Shoqatës Europiane të trajnerëve i cili po mbahet në Komo të Italisë, ku janë të pranishëm 200 teknikë nga kontinenti “I vjetër”. Në një prononcim për mediat iu shmang pyetjeve lidhur me ndeshjen kundër “axurrëve” në mars dhe komentoi vetëm atë të datës 12 nëntor kundër Izraelit.
“Eksperienca na ka mësuar që duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e ardhshme. E them këtë pasi Izraeli është kundërshtari direkt i Shqipërisë dhe aty duhet të jemi të përqendruar. Ky është objektivi ynë pa mohuar se duam që më pas të realizojmë edhe diçka më tepër”.
Italiani foli dhe për renditjen në grup
Do të jetë e vështirë të renditemi në vendin e dytë sepse Spanja dhe Italia kanë më tepër cilësi. Spanja është më superiore se të gjitha ekipet e grupit, ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe kualitet. Italia ka lojtarë të fort në mbrojtje, me Buffon, Kielinin, Bonuçin e Barzjaljin. Gjithashtu nëse rikuperohet maksimalisht edhe Markizio që ka nisur të luajë, do të jetë një bllok solid i Juventusit që do t’i japë më tepër cilësi ekipit. Përsa i takon Shqipërisë, ne nuk duhet të harrojmë atë që na ndihmoi të kualifikoheshim në Kampionatin Europian, pra të jemi të vetëdijshëm te kualiteti ynë, të luajmë në mënyrë jo egoiste dhe të jemi gjithmonë aty për të ndihmuar njëri-tjetrin”.
Lidhur me lojtarët shqiptarë që luajnë në “Seria A” u shpreh:
“Jam mjaft i kënaqur me paraqitjet e lojtarëve. Është një periudhë e mirë dhe më bëhet qejfi që djemtë luajnë dhe marrin eksperiencë, ndërsa po fitojnë edhe formë fizike. Tashmë pres që edhe Manaj të aktivizohet më shpesh. Sapo është kthyer nga dëmtimi dhe është një lojtar i së ardhmes, tek i cili kemi shumë besim.”/bw/a.k