Libri më i ri i Prof. Dr. Paskal Milos, “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane” (TOENA), pretendon të sjellë një histori të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve që në gjurmët e tyre të para e deri sot. “GSH” boton sot nga libri i Milos, pjesën ku flitet për vizitën e kryeministrit të Bavarisë, Franz Josef Strauß më 1986, takimet e bëra, marrëveshjet, artikujt e mediave të huaja, deklaratat e palëve, hamendësimet e palës shqiptare, pretendimet për dëmshpërblime financiare etj. Libri, i sapobotuar nga “TOENA”, promovohet sot paradite në Tiranë. Bashkë me informacionet, botojmë edhe fotografi që dalin për herë të parë para publikut.
Mungesa e një arritjeje konkrete në bisedimet e 10 marsit dhe jehona e tyre në shtypin gjerman e në atë ndërkombëtar vuri në lëvizje përsëri Strauß. Një muaj më vonë kryeministri bavarez morri iniciativën dhe kërkoi të vizitojë përsëri Tiranën, por me kërkesën që të dinte paraprakisht se me cilin nga personalitetet e larta shqiptare do të bisedonte. Udhëheqja më e lartë partiake e shtetërore në Shqipëri e dhanë pëlqimin e ranë dakord që Strauß ta priste e të bisedonte kryeministri i vendit, Adil Çarçani. Hamendësimet shqiptare për arsyet e kësaj vizite ishin disa: e para, si një përpjekje për të qetësuar qeverinë shqiptare se qëndrimi i qeverisë federale gjermane nuk kishte ndryshuar ndaj saj; e dyta, si një lëvizje jo vetëm gjermane, por edhe perëndimore, për të inkurajuar hapjen e Shqipërisë e për të mos i krijuar terren depërtimit sovjetik aty; e treta, si një objektin personal i Strauß që tetë muaj para zgjedhjeve për në Bundestag e në kuadrin e Ostpolitikës së tij në Evropën Juglindore të arrinte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.
Strauß vizitoi Shqipërinë në 19-20 maj i shoqëruar nga një grup gazetarësh e miq të tij. Këtë herë vizita, pavarësisht se përsëri u cilësua në dukje si “private”, në thelbin e saj pati të gjithë dimensionin e mundshëm zyrtar. Strauß në takimin me Adil Çarçanin në 19 maj pohoi se kishte ardhur në Shqipëri me dijeninë e kancelarit federal Helmut Kohl, një fakt ky që përcaktonte misionin e tij zyrtar dhe koordinimin e qëndrimeve me qeverinë e Bonit në marrëdhëniet me Shqipërinë. Po kaq hapur ai u tha autoriteteve shqiptare se Ministria e Jashtme gjermane e me këtë nënkuptonte Genscher-in, ishte e prirur të sillte pengesa e vështirësi në punën e tij për vendosjen e normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
Kryeministri i Bavarisë u tregua shumë i hapur në bisedën me kryeministrin shqiptar. Çarçani kërkoi që, krahas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve, Shqipërisë t’i jepej “sadisfaksioni moral”, që nënkuptonte pagimin e dëmeve që ajo kishte pësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në rrugë e në forma të ndryshme. Qasja shqiptare ishte po e njëjta e këmbëngulëse. Strauß e njihte mirë atë dhe kishte ardhur “miqësisht”, siç u shpreh ai, që të bindte shqiptarët për të qenë më fleksibël e më pragmatistë në atë çfarë synonin të realizonin. Ai nuk hezitoi të deklaronte se qeveria shqiptare “po ecte në një rrugë të gabuar” në mënyrën se si ajo kërkonte dëmshpërblime lufte nga RFGJ.
Strauß për të zhbllokuar negociatat e për të gjetur një zgjidhje të pëlqyeshme për të dyja palët pa cenuar pozitat e tyre juridike i paraqiti kryeministrit shqiptar një projekt të menduar mirë. Ai mori përsipër të zgjidhte pjesën më të vështirë të problemit, atë që Çarçani e kishte quajtur “sadisfaksion moral”, e që në fakt ishte një sadisfaksion material e financiar. Kryeministri bavarez propozoi nënshkrimin e një marrëveshjeje 10 vjeçare midis dy qeverive për bashkëpunimin tekniko-shkencor, të ndarë nga marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Strauß u bë garant për zbatimin e marrëveshjes 10-vjeçare, e cila do të fillonte në vitin e parë me dhënien e një shume prej 30 milionë markash. Garancia e tij mbështetej në faktin që Ministri i Bashkëpunimit Ekonomik në qeverinë e Bonit i takonte CSU.
Zbatimi i marrëveshjes për bashkëpunim tekniko-shkencor kushtëzohej nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, proces të cilën Strauß në mënyrë figurative e cilësoi si “shina” e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Genscher-it. “Shina” tjetër sipas tij ishte Ministria federale e Bashkëpunimit Ekonomik. Në momentin që do të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike, i deklaroi ai Çarçanit, dhe “treni do të niset në shinat e para, unë do të veproj që ai të fillojë të niset ndoshta, në të njëjtën kohë edhe në shinat e dyta”. Mesazhi u përforcua edhe më tepër kur Strauß përmendi jo pa qëllim pozicionet e tij zyrtare, influencën e CSU në Bon si parti qeveritare si dhe rolin e Bavarisë si “urë lidhëse midis Evropës Perëndimore e Ballkanit”.
Vizita e dytë e Strauß-it në Shqipëri pati një jehonë të gjerë në RFGJ, por edhe në vendet perëndimore e lindore. Brenda një jave (17 – 23 maj), për këtë vizitë vetëm në gazetat gjerman-operëndimore u shkruan rreth 336 shkrime. Pas kësaj vizite Ministria e Jashtme në Bon u vu në lëvizje për të mbajtur iniciativën e procesit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Në 26 maj, një javë pas vizitës së Strauß-it në Tiranë, ambasadori i ri i RFGJ në Vjenë, Ditrich Graf Von Brüch, në vizitën e njohjes që i bëri ambasadori shqiptar, i deklaroi se pala gjermane ishte në pritje të përgjigjes nga pala shqiptare për memorandumin e saj të dorëzuar në bisedimet e 10 marsit. Ai la të kuptohej se Boni ishte gati të bëhej një takim tjetër në Vjenë “për të arritur përfundimin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve”.
Tirana nuk u ngut që të përgjigjej. Në 17 qershor Byroja Politike u mblodh posaçërisht për të diskutuar për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me RFGJ. Ministri i Jashtëm Malile u sugjeroi udhëheqësve shqiptarë se kishte ardhur koha që me këtë vend të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike e të përfundohej marrëveshja për bashkëpunim tekniko-shkencor të propozuar nga Strauß. Byroja Politike mbi bazën e propozimit të Ramiz Alisë, aprovoi projekt-protokollin gjerman për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me disa ndryshime, anekset, komunikatën mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe letërkëmbimin midis ambasadorëve të të dyja vendeve mbi rregullimin e çështjeve që rridhnin prej tyre. Ramiz Alia kërkoi që miratimi i këtyre vendimeve të mbahej sekret, por Ministria e Jashtme u autorizua që të vepronte në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë Federale. Ambasada shqiptare në Vjenë u porosit që të njoftonte ambasadën gjermane po aty për këtë vendim të qeverisë shqiptare. Gjithashtu u konsultua edhe Strauß për përgjigjen që qeveria shqiptare do t’i kthente qeverisë federale për projekt-protokollin me anekset propozuar prej saj në 10 mars. (Gazeta Shqiptare)