Serbët kanë pllakosur sot në Kosovë. Arsyeja është festa e Vidovdanit. Qytetarët serbë të Kosovës, por edhe serbë nga Serbia po mblidhen si për çdo vit në Gazimestan për të përkujtuar Vidovdanin, ose atë që njihet ndryshe si Beteja e Kosovës.
Shtatë autobusë, tre kombibusë dhe dhjetëra automjete private janë nisur rreth orës shtatë të mëngjesit edhe nga fshati Rudar i Zveçanit. Ata kanë qenë në përcjellje të njësive speciale të policisë së Kosovës të stacioneve veri dhe jug.
Shefi i operativës në policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka thënë se gjithçka deri më tani është duke shkuar sipas planit operativ dhe nuk ka ndonjë problem.Në orën 08:00 do të bëhet liturgjia në Graçanicë ndërsa rreth orës 12:00 pritet të fillojë edhe ceremonia e përvitshme në Gazimestan.
Beteja e Fushë-Kosovës është zhvilluar në vitin 1389 mes një koalicioni të përbashkët ballkanas të përbërë nga rumunë, shqiptarë e serbë kundër fuqisë gjithnjë e në rritje të Perandorisë Osmane.
Serbët e përkujtojnë çdo vit këtë betejë më 28 qershor me ceremoni që zhvillohen në Gazimestan dhe Graçanicë.