Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Ksamil, ku një 53-vjeçari iu bë atentat me tritol. Agron Xhezairi, babai i Albi Xhezairit të shpallur në kërkim për vrasjen e Aleksandër Bardhit, ka konstatuar dy ditë më parë një sasi eksplozivi të vendosur në automjetin e tij.
Por pavarësisht kësaj, ai ka pritur për 24 orë, me eksplozivin e vendosur në makinë, pa denoncuar këtë ngjarje, pasi kishte frikë.
Sipas burimeve të Policisë për ‘BalkanWeb’, lënda e vendosur në mjetin e Xhezairit, ishte tritol.
“Dosja nuk është referuar ende në prokurori. Tritoli dyshohet për hakmarrje ndaj 53-vjeçarit”, sqarojnë burimet për ‘BalkanWeb’.
Ndërkaq, nuk dihet ende sasia e tritolit të vendosur në makinën e Xhezairit, lëndë e cila është sekuestruar nga RENEA.
Agron Xhezairi është babai i një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Aleksandër Bardhit, vëllait të ish-kreut të Njësisë Administrative Kaçinar të Mirditës. Burime për ‘BalkanWeb’ bënë me dije se 53-vjecari ka njoftuar policinë e Sarandës se teksa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij, në sediljen e pasme, ka konstatuar një lëndë të mbështjell me një qese plastmasi, 2 fije teli të lidhura me një aparat celulari. Fill pas kësaj, u njoftua reparti xhenier i “Renea”, Tiranë të cilët kryen çaktivizimin.
Ende nuk bëhet e ditur nëse kjo ngjarje lidhet me ndonjë hakmarrje të mundshme që po i bëhet ndaj djalit të tij. Albi Xhezairi është i shpallur në kërkim për vrasjen Bardhit në Shendelli, ngjarje që ndodhi në 24 shtator të këtij viti. 20-vjeçari po hetohet për veprat penale, “Vrasje ne bashkepunim” dhe “Mbajtje pa leje te armeve luftarake dhe municionit”.
BW/d.i.