Fondi për kompensimin e pronarëve është rritur me 400 milionë lekë në projektbuxhetin e vitit 2017 krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2016. Fondi në total për vitin e ardhshëm, parashikuar në projektbuxhet, arrin në 2 miliardë lekë, ndërkohë që këtë vit është 1.6 miliardë lekë. Edhe pse gjatë vitit 2016 nuk janë shpërndarë ende para për kompensimin e pronarëve, fondi i këtij viti do të mblidhet me fondin e vitit të ardhshëm dhe shpërndarja e parave do të nisë pas shqyrtimit të dosjeve me ligjin e ri, i cili po zbatohet, por ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë është i pandryshueshëm për të katërtin vit radhazi. Fondi i vënë në dispozicion të ish-të dënuarve politikë është 2 miliardë lekë. Ministria e Financave po vijon pagesat për kategoritë parësore, ku prioritet kanë ish-të dënuarit që janë gjallë. Deri tani është shpërndarë kësti i gjashtë për rreth 800 përfitues, ndërkohë që pjesa tjetër është në pritje. Ministria e Financave bën të ditur se pagesat ecin me ritme të ngadalta jo për shkak të pamjaftueshmërisë së fondit, por për shkak se dosjet kanë mungesë dokumentacioni.
Të parat në listë janë gratë ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave, në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, që vazhdojnë të jenë gjallë. Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Për kategorinë e katërt me prioritet janë personat ish-të dënuar që janë gjallë të cilët, pavarësisht moshës në momentin e pagesës, kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç.
Ndërsa në kategorinë e pestë, me prioritet janë personat ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç. Në kategorinë e gjashtë me prioritet janë personat ish-të dënuar që janë gjallë dhe që në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më të vjetër se një javë nga data e dorëzimit, dhe numër llogarie.
BW/d.i.