Agjencia Kombëtare e Provimeve fton kandidatët për mësues, të cilët kanë përfunduar shkollimin e lartë dhe duan të punësohen, të japin provimin e licencës. AKP ka caktuar dhe datat, duke u lënë në dispozicion më shumë se një muaj kohë, nga java e tretë e muajit nëntor deri në javën e katërt të dhjetorit të 2016-s.
Në njoftimin e publikuar në faqen e saj zyrtare janë shpallur edhe dokumentet e rregullat, që duhet të zbatojnë kandidatët gjatë provimit. Në listën e dokumenteve që mësuesit e rinj duhet të marrin me vete ditën e caktuar theksohen dokumentet që vërtetojnë arsimimin.
“Duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IAL-të përkatëse. AKP nuk do të mundësojë kandidatët të cilëve u mungojnë këto dokumente, të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit”, nënvizohet në njoftim.
Sa u takon rregullave, paraqitja gjysmë ore përpara orarit të përcaktuar vijon të mbetet kusht. E po ashtu edhe marrja me vete apo përdorimi i celularëve apo çdo lloj mjeti tjetër komunikimi, konsumi i duhanit apo ushqimeve në mjediset e provimit, si dhe komunikimi.
Gjatë ditëve në vijim, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të publikojë listën e kandidatëve, përbri të cilëve data dhe ora e provimit që do të zhvillohet në mjediset e AKP-së.
Në provim futen të gjithë ata që kanë përfunduar të dyja ciklet e studimit në një nga 22 profilet e mësuesisë, po ashtu edhe praktikën profesionale të detyrueshëm 1- vjeçare. Marrja e licencës nga AKP, që vërteton aftësinë për të ushtruar profesionin, është kusht që ata të punësohen në sektorin publik.
Këtë e dikton edhe neni nr.7 i ligjit për profesionet e rregulluara, që nënvizohet edhe në njoftimin e AKP: “Personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Panorama/d.i.