Qeveria shqiptare rihap aplikimin për kandidaturën për gjyqtar të ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, voton brenda muajit prill 2017 kandidaturën për gjyqtarin e ri të Shqipërisë në GJEDNJ).
Këshilli i Evropës fton qeverinë shqiptare të paraqesë brenda datës 20 mars 2017, listën me propozime për tre kandidaturat më të përshtatshme për këtë pozicion. Ky njoftim për aplikim bazohet në Udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM ( 2012) 40-add), datë 29.3.2012.
Mandati i gjyqtarit është për një afat prej 9 (nëntë) vjetësh dhe mbaron pas përfundimit të këtij afati ose kur ai/ajo arrin moshën 70 vjeç. Kandidatët nëse zgjidhen, duhet të jenë në gjendje të mbajnë këtë detyrë për të paktën sa gjysmën e mandatit 9 – vjeçar, para se të arrijnë moshën 70 vjeç. Afati i dorëzimit të aplikimit eshte deri me 30 nëntor 2016.
Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere:
– Të jetë shtetas shqiptar;
– Të ketë arsim të lartë juridik;
– Të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e drejtësisë;
– Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;
– Të ketë karakter të lartë moral në përputhje me pikën 1, të nenit 21, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
– Të zotërojë një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht) si dhe së paku të ketë njohuri bazë të gjuhës tjetër. Do të konsiderohet përparësi zotërimi i të dyja gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:
– Kërkesë për aplikim;
– Kopje e kartës së identitetit;
– CV në gjuhën shqipe dhe CV të formatizuar sipas modelit në linkun e mëposhtëm, në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës ( anglisht ose frëngjisht); http://assembly.coe.int/CommitteeDocs/2009/ModelCVEN.doc
– Dokumente të diplomimit dhe kualifikimeve shkencore;
– Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
– Dokumente që provojnë njohjen dhe zotërimin e gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës apo gjuhëve të tjera të huaja;
– Vetëdeklarim që është person i padënuar/dënuar apo ndaj të cilit nuk janë dhënë masa sigurie apo dënim me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar;
– Vetëdeklarim se interesat private nuk përmbajnë burime të paligjshme financiare, fshehje të pasurive, deklarime të rreme apo konflikt interesi, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar;
(Deklarimi i rremë përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme).
– Dokumente të tjera në funksion të përmbushjes së kritereve të tjera plotësuese.
Pas vlerësimit të dosjeve të aplikimit, kandidatët mund t’i nënshtrohen intervistimit, ku një pjesë e pyetjeve do të jenë në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht).
Afati i dorëzimit të aplikimit: 30 nëntor 2016