“Të papunët që refuzojnë punën që u ofrohet nuk mund të përfitojnë më ndihmë ekonomike”. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama , gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Arsimi profesional, sfida dhe cilësia”, që u organizua mesditën e sotme në Fshatin SOS në Tiranë.
“Na duhet patjetër ligji i punëkërkuesit. ne nuk mund të mbajmë në kurriz të njerëzve ata të cilët refuzojnë punën që u jepet. Askush s’ka të drejtë që si refuzues i punës që i ofrohet të vazhdojë të marrë ndihmën ekonomike. Kjo nuk është solidaritet, kjo quhet parazitizëm. Ne duhet ta çojmë përpara këtë proces. Duhet ti vendosim përpara një zgjedhjeje shumë të qartë, nuk e pranon punën, je i lirë por mos kërko ndihmë ekonomike.”- deklaroi kryeministri.
Duke folur për prioritetet e arsimit profesional, kryeministri Rama tha se kjo është rruga e fitimit të ndershëm dhe pa limit. Kreu i ekzekutivit theksoi se shembulli i Gjermanisë flet për vlerën e jashtëzakonshme që ka arsimi profesional.
“Arsimi profesional është parë thjesht një paradhomë e skllavërisë si punëtorë në një fabrikë dhe jo një urë që lidh njeriun me suksesin në punë në biznes në jetë. Shembulli rrezatues i Gjermanisë që ndër shumë arsye të tjera është sot një vend që i ka rezistuar në mënyrën më spektakolare krizave të kohës dhe që vazhdon të ketë një stabilitet mbresëlënës përsa i përket papunësisë flet për vlerën e jashtëzakonshme që ka arsimi profesional gjerman. Jemi mbështetur mbi modelin gjerman, me vetëdijen se ne gjermanë nuk bëhemi kurrë, që mos ngatërrohet ndonjëri me iluzionin se unë e kam këtë optimizëm. Eshtë vetëm fillimi i një rruge të gjatë. Eshtë një proces që ka kundër historinë.”- u shpreh kryeministri Rama.
ma.me