Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka reaguar pas lajmit të KTV-së për arrestimin edhe të një shtetasi të Kosovës nga organet e rendit në Serbi.
Përmes një postimi në Facebook, Çaushi ka thënë se për këtë janë fajtorë koalicioni PDK-LDK që nuk e miratuan Rezolutën e cila kërkonte ndërprerjen e negociatave me Serbinë deri në lirimin e Nehat Thaçit, i arrestuar rreth një muaj më parë në Serbi, citohet Koha.
Ky është postimi i deputetit Çaushi:
Më 12 Tetor në Kuvendin e Kosovës kërkuam miratimin e një rezolute që kërkon ndërprerjen e negociatave me Serbi deri në lirimin e Nehat Thaqit si dhe zhvleftësimin nga Serbia të të gjitha listave me fletëarreste për ish ushtarët e UÇK-së.
Tërhoqëm vërejtjen disa herë se arrestimet tjera mund të ndodhin prapë dhe se pa kushtëzim një rezolutë nuk do te kishte kuptim.
Deputetët e koalicionit PDK-LDK nuk e patën guximin për votimin e kësaj rezolute dhe votuan një rezolutë boshe e pa asnjë peshë.Sot kuptuam se të premten në Serbi ka ndodhur arrestimi tjetër. Është arrestuar Hilmi Kelmendi, me akuzën për krime lufte.Si të veprojmë tani? Të nxjerrim nga një rezolutë në Kuvend pas çdo arrestimi të ri?Apo të dëgjojmë talljet e ministrit Enver Hoxhaj, i cili ua sugjeron qytetarëve që të mos udhëtojnë kah Serbia?! (b.an)