Shkrimtari i madh Dritëro Agolli është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Senati Akademik i Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Dorëzimi i diplomës u bë në një ceremoni ku ishin të ftuar Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit; Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës; senatorët e Universitetit të Tiranës si dhe personalitete nga fusha e arsimit, shkencës e më gjerë.
Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni vlerësoi kontributin e Dritëro Agollit në rrafshin akademik. Ndërsa studiuesi i letrave shqipe Bashkim Kuçuku u shpreh se Dritëro Agolli do të mbetet shkrimtari i popullit. Dritëro Agolli nuk ishte i pranishëm në ceremoni për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa për të tërhequr titullin ishte e pranishme e bija Elona Agollli.
Titulli “Doctor Honoris Causa” iu dha këtë të hënë Driëtro Agollit me motivacionin shkrimtar i shquar i letërsisë shqipe, i cili në veprat e tij ka pasqyruar e skalitur me mjeshtëri të lartë, me përmbajtje humaniste dhe me stil e gjuhë të pasur artistike historinë dhe shpirtin e popullit shqiptar.
ma.me