LSI qartazi nuk ka një përgjigje përfundimtare se me cilën sigël koalicioni do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 2017. Ndonëse është pjesë e mazhorancës, për momentin më shumë sesa te koalicioni ajo po e vendos theksin tek Reforma Zgjedhore. Këtij fakti i mëshoi sot edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një dalje për mediat, ku theksoi se fokusi maksimal i qeverisë duhet të jetë Reforma Zgjedhore. “Është e rëndësishme që në mënyrë të veçantë maxhoranca, po në mënyrë më specifike qeveria, të jetë e përqëndruar dhe e fokusuar maksimalisht tek përmbushja e detyrimeve dhe reformave të mëdha në të cilat është përfshirë vendi. Në këtë moment është shumë e rëndësishme realizimi me seriozitet dhe përkushtim i Reformës Zgjedhore, një prioritet nga i cili nuk mund të ikim”, deklaroi Rama.
Duket se edhe një deklaratë e kryeministrit, Edi Rama, se nëse LSI nuk “rimartohet” djathtas koalicioni do të vazhdojë, ka sjellë edhe acarim te krerët më të lartë të LSI. Vetë Luan Rama, pa ju referuar drejtpërdrejtë kësaj deklarate, komentoi se “nuk preferoj të merrem as me batuta dhe as me mistrecllëqe batutash”. Një koment ky ku duket se ka jo pak tone acaruese në adresë të kryeministrit.
Balla
Ndërsa nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke komentuar deklaratat e kryeministrit Rama, për koalicionin qeveritar PS-LSI, u shpreh në të njëjtat ujëra
me kryeministrin Rama se “nuk ka asnjë arsye pse PS-ja dhe LSIja të mos vazhdojnë të projektojnë të ardhmen e koalicionit në zgjedhjet e vitit 2017”.
Ndërkohë deputeti i PS pohoi se votimi elektronik nuk mund të përdoret për zgjedhje pa u testuar, siç ishte edhe rasti i Austrisë. Ndër të tjera ai theksoi se PD duhet të zgjedh qarkun për projektet pilote me numra identifikimi.
“Meqë jemi në kohë, duhet të na sjellin draftimi për buxhetin që ti shtojmë buxhet KQZ-së. PD më shumë se të bërtas, lë të bëhet pjesë e procesit”, tha Balla.
Me. Ar