Të gjitha hotelet, resortet, bujtinat, fjetinat apo qendrat kurative në vend do t’i nënshtrohen certifikimit nga një komision i posaçëm pranë Ministrisë së Turizmit. Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren që përcaktojnë kushtet kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese.
Certifikatat e klasifikimit do të kenë vlerë 4 vjeçare dhe do jepen nga komisioni vetëm pas verifikimit fizik të strukturës nga të paktën dy persona, ndërkohë që të dhënat do të konsultohen dhe nga institucione ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë.
Në lëshimin e certifikatave do merren parasysh kërkesat minimale për përmasat e dhomave, për shërbimet akomoduese apo turistike, deri te mbrojtja nga zjarri e nga zhurmat apo strukturat e përshtatshme për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Rregullorja përcakton edhe tarifat që duhet të paguajë çdo biznes për t’u certifikuar.
Tarifa maksimale për hotelet është 100 mijë lekë, ose 1,200 lekë për dhomë.
Resortet do të paguajnë 120 mijë lekë për të bërë të mundur të certifikimin.
Motelet do të pagujnë 900 lekë për dhomë, ose deri 75 mijë lekë për gjithë strukturën.
Kostot më të lira do të paguhen nga fjetinat, 90 lekë për certifikimin e ccdo shtrati, ose 20 mijë lekë për gjithë strukturën.
Procesi i verifikimit
Për verifikimin e të dhënave të vetëdeklaruara nga kërkuesi, Ministria bashkëpunon me agjenci dhe organizata ndërkombëtare të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, të cilat, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Ministrinë, kryejnë vlerësimin për klasifikimin e strukturës akomoduese. Me marrjen e aplikimit, Ministria njofton kërkuesin për kryerjen e pagesës së tarifës së verifikimit në llogarinë e Ministrisë, në llogarinë e unifikuar të thesarit të shtetit.
Brenda 5 ditëve nga kryerja e pagesës së tarifës së verifikimit, Ministria njofton kërkuesin për datën/datat e caktuara për verifikimin e kushteve dhe kritereve që plotësohen nga struktura akomoduese. Data për verifikimin caktohet, të paktën, 5 ditë pas njoftimit të kërkuesit nga Ministria.
Procesi i verifikimit të përmbushjes së kritereve përkatëse nga struktura akomoduese kryhet nga jo më pak se dy persona dhe duhet të përfundojë brenda 30 ditëve, nga dita e njoftimit të kërkuesit për datën/datat e verifikimit.
Procesi i verifikimit përfshin një ose më shumë vizita pranë strukturës akomoduese, të cilat duhet të kryhen brenda afatit të parashikuar në pikën 3 të këtij neni.
Me përfundimin e procesit të verifikimit, formulari i plotësuar nga verifikuesit në sistemin elektronik mund të aksesohet nga Komisioni dhe nga kërkuesi, nëpërmjet numrit të tij të aplikimit.
Kërkuesi, brenda 5 ditëve nga ngarkimi në sistem i formularit të plotësuar të verifikimit, mund t’i paraqesë, me shkrim, Komisionit, kundërshtimet e tij për rezultatet e verifikimit. Në rast se kërkuesi ka kundërshtuar rezultatet e verifikimit, Komisioni, brenda 15 ditëve nga paraqitja e këtij kundërshtimi, vendos nëse është e nevojshme kryerja e një verifikimi të strukturës ose zgjedhja e një vlerësuesi tjetër.
Në rast të kundërt, Komisioni, në vendimin e tij, argumenton edhe arsyet e mosmarrjes në konsideratë të kundërshtimit të kërkuesit.
Shqiptarja/d.i.