Lewis Hamilton e ndezi edhe më shumë luftën për titullin kampion në Formula 1 pasi në dy gara ka rikuperuar mjaftueshëm pikë për të vendosur nën presion Nico Rosberg, pretendentin kryesor për fronin.
Në ndalesën e fundit në Meksikë, piloti britanik i Mercedes dominoi të gjithë cirkuitin dhe rihap diskutimin për botërorin me 19 pikë më pak se shoku i skuadrës që kryeson renditjen. Leëis preku finishin i pari e pas tij, Nico Rosberg.
Pati kaos dhe polemika në xhirot e fundit mes Verstappen dhe Sebastian Vettel. Talenti i Red Bull pengoi gjermanin e Ferrarit dhe pasi mbylli garën në vendin e tretë, u penalizua me 5 sekonda. Kështu Sebastian Vettel rigjen podiumin nga dhurata e komisarëve, raporton TCH.
Gara e radhës e Formula 1 do të jetë në Interlagos e shumëkush vendos bast se Nico Rosberg tani do ta ndjejë edhe më shumë presionin për të bërë gabime eventuale.
Por kontrollin e situatës e ka gjermani. Në Brazil pas dy javësh në rast se fiton, Nico Rosberg do jetë kampion i ri i botës, përgatiti Koha. (b.an)