Ulja e temperaturave dhe afrimi i stinës së dimrit rrit konsumin e gazit për ngrohje në familjet shqiptare. Marrë shkas nga eksperiencat e viteve të fundit, ku bombolat e pakolauduara janë bërë burim kryesor i zjarreve në banesa, shërbimet zjarrfikëse kanë një apel për qytetarët.
“Shikojmë që ka një tendencë për mbushjen dhe rimbushjen e bombolave në pika të palicencuara. Apeli ynë për qytetarët është të mos i mbushin bombolat në autogaze, pasi kjo është e rrezikshme për jetën dhe pronën e tyre”, tha Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë.
Gjithashtu shërbimi zjarrfikës ka ushtruar inspektime edhe në institucionet arsimore.
“Në këto institucione ka nevojë për më shumë pajisje kundër zjarrit, megjithatë situata është e kënaqshme. Vjet kemi pasur dy zjarre në një kopsht dhe një gjimnaz, të cilat janë shuar nga vet stafi dhe nxënësit”, tha më tej Shkëlqim Goxhaj.
Ndërkohë, shërbimi zjarrfikës i kryeqytetit vijon trajnimet me nxënësit e shkollave të mesme për reagimin në situata zjarri./tch/a.k