Ish-kandidati për president të Bosnjës, Fahrudin Radonçiç, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e një boshnjaku me emrin Ramiz Delaliç.
Ka thënë se këtë vrasje e ka kryer shërbimi informativ i shtetit, duke lënë të nënkuptohet se as Naser Kelmendi nuk kishte të bënte me këtë vrasje, shkruan Koha Ditore.
Megjithatë, Radonçiç, i cili ka dëshmuar të premten në gjykimin kundër Kelmendit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka pranuar se menjëherë pas vrasjes së Delaliçit i kishte dërguar një mesazh punëtores së tij, Sheila Turkoviç, dhe e kishte njoftuar për vrasjen.
Kjo e fundit është dëshmitarja kryesore në këtë gjykim. Kelmendi po akuzohet pikërisht për përfshirje në vrasjen e Delaliçit, si dhe për krim të organizuar e trafikim me substanca narkotike. (b.an)