Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg, 17-vjeçarin Xhuljano Malo i akuzuar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal i cili vrau efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha, dhe plagosi dy të tjerë pak ditë më parë në Lazarat.
Në seancën e sotme, gjykata vendosin masën e sigurisë “arrest me burg” për adoleshentin për 4 akuza, më e rënda prej të cilave ajo e “vrasjes së efektivit të policisë” Ibrahim Basha, “e kryer në bashkëpunim”.
Adoleshenti akuzohet po ashtu edhe për “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj efektivëve të tjerë që ndodheshin në automjet, “prodhim dhe mbajtje municionesh” dhe “prodhim e shitje narkotikesh”.
Në seancën gjyqësore tek Krimet e Rënda, Malo ka thënë vetëm një fjali para gjyqtares Flora Hajredinaj: “I qëndroj gjithçkaje që kam thënë në polici pas arrestimit”.
Ndërsa avokati i tij ka kërkuar mëshirën e gjykatës me argumentin se, i akuzuari është i mitur dhe se nuk ka qenë në grupin nga është qëlluar, por është kapur disa metra më tej, teksa po transportonte municione.