Mbi 8 milionë euro po investohen në rrugën e plazhit në tri projekte të ndryshme: në ndërtimin e rrugës, rikualifikimin e zonës dhe ujësjellës- kanalizime. Në të gjithë zonën e plazhit nga Ura e Dajlanit deri tek sektori ‘Hekurudha’, rruga nacionale dhe rrugët dytësore janë gërmuar në fillim të verës dhe rinisën punimet pas mbylljes së sezonit veror. Ndërkohë, banorët janë të pakënaqur, ndërsa janë shprehur se firma zbatuese po zvarrit punimet. Sipas tyre, punimet në rrugën e plazhit në Durrës nisën pas 15 shtatorit, por me hapin e breshkës.
“Po punojnë dy punëtorë. Një herë në katër ditë i shikojmë. Në vend të kishin mbyllur punimet, ata po i zvarrisin”, tha njëri prej banorëve të zonës së plazhit. Ndërkaq, një tjetër banore, e cila ka një biznes të vogël pohoi se punimet i kanë shkaktuar mjaft dëme në aktivitet, për shkak se rruga është e gjitha baltë e pluhur. “I shohim që po punojnë, ndërsa ne presim kur do t’i mbyllin punimet, sepse këtë kërkojmë nga bashkia”, tha ajo. Gjithashtu, banorët kanë ankesa dhe përsa i përket problemit të ujërave të zeza. Konkretisht, banorët e ish-kabinave të plazhit në Durrës denoncuan firmën, e cila po punon për lidhjen e kanalizimeve. Ata deklaruan se firma i ka lënë sërish me gropa septike dhe ujërat e zeza përfundojnë në det.
“Firma, e cila po kryen punimet për ndërtimin e lidhjen me kolektorin e ujërave të zeza, lidhjet e ujërave të përdorura i ka bërë në mënyrë klienteliste. Lidhjet janë bërë jo për të gjitha ndërtesat, ndërsa vijojnë të përdoren gropat septike. Përfaqësues të firmës na thanë që nuk kemi punë me kanalizimet tuaja dhe nuk merremi me to. Ndërkohë, pallateve ua lidhën me kolektorin”, thanë një grup qytetarësh, banues tek “Rrota e kuqe”. Kurse, një tjetër banore u shpreh se, “edhe një pallati tjetër nuk i është lidhur rrjeti i kanalizimeve, duke bërë që ujërat e zeza e të përdorura të përfundojnë në sipërfaqe e të derdhen në det.
INVESTIMET
5 milionë euro janë akorduar nga Banka Botërore për disiplinimin e ujërave të zeza, lidhjen e kolektorit kryesor me ato dytësore e tretësore në zonën e plazhit të Durrësit. Ndërkohë që paralelisht po kryhet një investim prej 1.5 mln eurosh i qeverisë shqiptare për ujin e pijshëm në plazhin e Durrësit. Krahas tyre po punohet edhe për zbatimin e projektit me vlerë prej 2.5 mln dollarësh për rikualifikimin e rrugës “Pavarësia”. Këto punime që nisën në muajin qershor u bënë pengesë e madhe për mbarëvajtjen e sezonit veror, ndërsa në dimër ecin me ritme shumë të ngadalta dhe nuk dihet sa efiçente do të jenë për turizmin vendës. Afati i punimeve pritet të zgjasë një vit sipas kontratave të tyre.
BW/d.i.