Artistët ballkanas Jona Dividi, Vahida Nimanbegu, Burhan Ahmeti dhe Arjana Xhemajli i njohin mirë në vendin e tyre, por më shumë kanë filluar t’i njohin jashtë tyre. Jo thjesht sepse janë vetja dhe kanë performuar realisht me artin e tyre, por se kanë ditur t’u përshtaten kanoneve të artit bashkëkohor dhe madje të prezantojnë veten dhe vendin e tyre. Mbi të gjitha kanë fashitur ura dhe e kanë bërë artin, kryeqytetin e vërtetë të shpirti krijues ballkanik.
Me pak fjalë, pas aktiviteteve të shumta brenda dhe jashtë vendit, Departamenti i Artit në Universitetin Massachusetts në Boston, i ka ftuar që të katër këta artistë ballkanas, me gjasa të gjithë shqiptarë, nga datat 25 qershor deri më 8 korrik, të organizojnë dy ekspozita.
Si përfaqësuese nga Shqipëria në Universitetin e Massachusetts është artistja Jona Dividi, drejtuese e “Qendrës Tirana Art”, prej Malit të Zi është Vahida Nimanbegu. Maqedonia përfaqësohet me Burhan Ahmetin, kurse Adem Dermaku është shqiptari nga Kosova, i cili jeton në Zvicër.
Së pari, ka qenë Universiteti i Arteve të Bostonit që i ka ofruar ambientet e veta artistëve shqiptarë për të bërë të mundur ndarjen e eksperiencave midis pedagogëve dhe studentëve të këtij universiteti me artin bashkëkohor ballkanas. Por, ndihma s’ka qenë vetëm te mjediset sepse departamenti i artit në këtë Universitet ka menduar që të ketë nga një asistent të posaçëm për realizimin e veprave dhe demonstrimin e tyre tek studentët e këtij universiteti, duke i dhënë eksperiencën e tyre profesionale si pedagogë të artit figurativ. Pa asnjë lloj kompleksi ose shemrie artistike, marrëdhënia e departamentit me përvojë ka qenë dhe mbetet e barabartë me artistët dhe pedagogët e rinj shqiptarë.
Sa i përket procesit të zhvillimit do të realizohen vepra në grafikë artistike, ku secili nga artistët do të realizojë teknika të ndryshme të grafikës. Pas përfundimit të veprave, të cilat do të realizohen në atelietë e artit, në Universitet do të organizohet edhe ekspozita e krijimeve të përfunduara gjatë këtyre ditëve në Galerinë “Modestino” të Universitetit Massachusetts në Boston.
Por udha e artistëve nuk mbaron këtu. Pas shkëmbimit të eksperiencave në Universitetin e Arteve në Boston dhe hapjes së ekspozitës, një tjetër ekspozitë do të pasojë më datën 6 korrik 2015 në New York në Galerinë “MC”. Në këtë ekspozitë do të prezantohen vepra të tjera të pa ekspozuara, ku secili nga artistët do të prezantohet me 8-10 krijime të reja. Në këtë ekspozitë sërish do performojnë Jona Dividi, Vahida Nimanbegu, Burhan Ahmeti si edhe Arjana Xhemajli.
Këto aktivitete të artistëve shqiptar në SHBA patën jehonë nëpër media të ndryshme atje, por artistët një falënderim të veçantë i kanë përcjellë “pedagoges Elisabeth në Universitetin Massachusetts Boston, për këtë ftesë, e cila bëri të mundur jo vetëm prezantimin e vlerave artistike të Shqipërisë, por edhe një program të detajuar të realizmit të veprave me teknika të ndryshme të artit figurative, dhe mbi të gjitha: që krijoj mundësinë për qëndrimin tonë në Boston dhe New York”, shprehet Jona Dividi.