Kërcënimet dhe presionet ndaj biznesmenit Ylvi Beqja, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, kanë vazhduar edhe pas arrestimit të Emiljano Shullazit disa muaj më parë në Tiranë. Në dëshminë e Beqjas për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të dhënë në fund të shtatorit e në tetor 2016 në disa seanca sekrete radhazi, biznesmeni ka thënë se lëvizjet e tij dhe banesa ku jetonte në Tiranë janë mbajtur në vëzhgim të vazhdueshëm.
Biznesmeni ka rrëfyer se këtë vëzhgim e kanë realizuar njerëzit e Emiljano Shullazit nga të cilët ai ka arritur të identifikojë Endri Zelën dhe Endrit Qyqjan si persona që e kishin shoqëruar Shullazin gjatëtakimeve me të në Tiranë dhe në Durrës.
Biznesmeni është përballur direkt me njerëzit e Shullazit pas një telefonate që ka marrë nga Endrit Qyqja. Ai kishte shkuar në rrugë tek pallati i Beqjas dhe pasi janë takuar ka parë se në makinën Benzndodhej edhe Endri Zela.
“Më thanë mos fol shumë lart e poshtë” ka thënë biznesmeni. Ai ka shpjeguar se u tha dy djemve që t’i çonin fjalë Shullazit se do t’i jepte 700 mijë eurot që kërkonte vetëm që të hiqte dorë prej pronësisë së 30 për qind të ish Hotel Vollga duke i thënë se pronën e kishte bllokuar Prokuroria.
Beqja ka thënë se, dy djemtë i kanë deklaruar se “atë pronë do ta gëzojë vetëm Mili” duke i shtuar se “nëse ke ndonjë problem na thuaj se hedhim në tokë më të mirin”. “Për këtë arsye pasi kuptova se, problemet e mia nuk po mbaronin vendosa të vij me dëshirën time në Prokurori dhe të jap këtë dëshmi me përgjegjësinë time ligjore, ka thënë biznesmeni.
Prokuroria ka marrë në pyetje edhe dy noterët në Durrës ku janë firmosur kontrata e dhurimit të pjesës së pronësisë dhe më pas zyrën ku Shullazi ka marrë certifikatën e pronësisë.
Dy noterët kanë thënë se kanë pasur makina të parkuara para zyrave të tyre gjatë ditës deri në 9 të darkës kur kanë kryer veprimet që kërkonte Shullazi dhe njerëzit e tij. Ata kanë thënë se çdo veprim e kanë bërë me njoftimin e Ylvi Beqjas por ai u thoshte vazhdimisht “nuk kam çfarë të bëj”. /panorama/a.k