Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, shitjet me pakicë janë rritur, duke dhënë shenjat e një konsumi më të lartë që po bëjnë qytetarët. Në këtë periudhë, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 4,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
INSTAT konstaton se rritja e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë do të ishte gati dyfish më e madhe nëse nuk do të përfshihej tregtia me Pakicë e Hidrokarbureve, që në tremujorin e parë të këtij viti ka rënë me 2.6% kundrejt vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, shqiptarët kanë konsumuar më shumë për ushqime, veshje dhe këpucë, produkte farmaceutike, artikuj shkollorë etj, ndërsa kanë ulur përvec karburanteve, edhe konsumin e elektoshtëpiakeve.
Statistikat e fundit japin sinjale pozitive për një gjallërim të konsumit në vend, cka do të vendoste në lëvizje motorët e ekonomisë. Por duhet parë edhe ecuria e konsumit në tremujorët në vijim, për të analizuar nëse rritja është sezonale apo tashmë shqiptarët I kanë kaluar pasiguritë dhe po shpenzojnë më shumë, duke hedhur më shumë para në ekonomi.