Pas takimit që zhvilluan një ditë më parë me grupin parlamentar të LSI-së, përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave ishin sot në selinë e Partisë Demokratike, ku morën mbështetjen e kryetarit Lulzim Basha për të kontribuar në ndalimin e importit të mbetjeve.
Përfaqësuesi i shoqërisë civile Lavdosh Ferruni deklaroi se kryetari i PD-së i garantoi se do të përdorë të gjitha mundësitë politike, për të mos lejuar importin e mbetjeve.
“Dekreti i presidentit patjetër që do të pranohet. Kemi një besim shumë të madh për këtë”, deklaroi Ferruni.
Ndërkohë në mbledhjen e Komitetit Drejtues të LSI-së pak ditë më parë, kryetari Ilir Meta konsideroi me rendësi nxitjen e dialogut, lidhur me ligjin e kontestuar që lejon importin e mbetjeve. Kreu i LSI-së theksoi se miratimi i ligjit, në kushtet e një konfliktualiteti, edhe qoftë ky i stisur nga opozita, nuk është pozitiv. Meta nënvizoi se nuk është naiv për të besuar se çdo gjë do të zgjidhet me konsensus, por sipas tij, çështjet e mjedisit u takojnë të gjithëve.
Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u miratua pak javë më parë me 63 vota të maxhorancës, ndërsa deputetët e PDIUsë nuk morën pjesë në votim. Por ligji u kthye sërish në Kuvend nga Presidenti Nishani.
BW/d.i.