Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti Barack Obama biseduan dje në telefon për të diskutuar mbi tensionet në Ukrainën lindore dhe luftën kundër grupit “Shteti Islamik” në Lindjen e Mesme. Biseda e tyre e fundit kishte qenë në muajin shkurt, tha Shtëpia e Bardhë.
Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe Kremlini ofruan deklarata të ngjashme për bisedën e mbrëmshme. Shtëpia e Bardhë tha se telefonata u bë nga zoti Putin.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Obama i tha zotit Putin se Rusia është e nevojshme të përmbushë angazhimet e marra në Minsk të Bjellorusisë këtë vit, duke përfshirë heqjen e trupave dhe armatimeve nga territori i Ukrainës. Kremlini tha se dy udhëheqësit ranë dakord që ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland dhe zëvendës ministri i jashtëm rus Grigory Karasin të diskutojnë mbi zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Telefonata u bë në të njëjtën ditë që komandanti suprem i NATO-s vuri në dukje se vazhdon kalimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake nga Rusia drejt Ukrainës.
Kremlini tha se dy udhëheqësit i kushtuan “vëmendje të rëndësishme” përballimit të terrorizmit dhe sidomos “Shtetit Islamik” dhe ranë dakord që Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i Shtetit John Kerry të takohen për të biseduar mbi këtë çështje.
Telefonata e Presidentit Putin erdhi vetëm disa ditë pasi udhëheqësi rus foli me presidentin francez François Hollande dhe kancelaren gjermane Angela Merkel për gjendjen në Ukrainën lindore.