Për Sinan Idrizin, te Flamurtari nuk ka asnjë çështje trajneri. Edhe pse në Laç vlonjatët nuk u drejtuan nga Gugash Magani, peqinasi vijon të jetë trajner i Flamurtarit. Në një bisedë telefonike nga Turqia për “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi thekson se Magani është trajneri i Flamurtarit, madje thotë se ka kontaktuar personalisht me atë edhe pas ndeshjes me Laçin.
“Nuk ka asnjë çështje trajneri në Vlorë. Gugash Magani është në krye të detyrës dhe nuk është shkëputur për asnjë moment. Me trajnerin jam në kontakte të vazhdueshme, madje folëm edhe pas ndeshjes me Laçin. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha fillimisht Idrizi.
Borxhet
Administratori ndalet edhe te çështja e borxheve. Idrizi u shpreh i prerë se nuk paguan asnjë borxh që s’ka lidhje me të dhe, për më tepër, sipas tij, janë kontrata mes individëve dhe jo institucionale. Idrizi sulmon FSHF-në duke i cilësuar antishtet politikat e saj, por që sipas tij, kjo piramidë do të shembet së shpejti.
“Nuk njoh asnjë borxh dhe nuk kam për të paguar asnjë qindarkë që nuk më takon. Kjo që ka zgjedhur FSHF është ekonomi informale dhe në ilegalitet. Unë nuk paguaj kontratat midis individëve, unë njoh vetëm kontratat në rrugë institucionale dhe mund të them se kontrata e trajnerit Ernest Gjoka dhe kontratat e tjera për të cilat mua më vijnë ultimatum, nuk janë kontrata të rregullta.
Për lojtarët e tjerë të mi, të cilët kanë fituar gjyqet, nëse FSHF nuk më ndan detyrimin obligator dhe atë neto, unë nuk paguaj. Ju duhet të dini dhe të shikoni se kush është shteti dhe antishteti. FSHF është antishtet, pasi nuk njeh detyrimin ndaj taksave. Pra, nëse FSHF nuk e qartëson këtë gjë, nuk paguaj. Më thonë t’i paguaj 40 mijë euro Franc Veliut. Ç’është kjo?!
Ky sistem do shpërthejë shumë shpejt dhe ekonomia e ilegalitet do të mbyllet në futboll. Unë i paguaj shtetit 35% të buxhetit që klubet e tjera e përdorin për buxhete të tjera. Këta po merren me sulme ndaj Flamurtarit dhe me çështjen e rrogave. Unë nuk bëj asnjë pagesë në ilegalitetet. FSHF ishte çiflig deri tani, por po kalohet në fermë”, u shpreh administratori.
Pikët
Sinan Idrizi është i vendosur. Edhe nëse hiqen pikët, ai nuk paguan asnjë lek që nuk i takon. “Le t’i heqin pikët, unë nuk paguaj. Çfarë, do më penalizojnë pse paguaj taksat? Nuk ka problem, le t’i heqin pikët. Zgjidhni borxhet e një lojtari, kë të doni ju. I ballafaqoni me pagesat dhe tatimet dhe pyesni FSHF-në, pastaj për sistemin e saj antishtet që do të bjerë së shpejti”, përfundoi Idrizi.
PanoramaSport/d.i.