Në majën e Priskës në Malin e Dajtit po kryhet një masakër mjedisore. Kompani të licencuara nga Ministria e Mjedisit në mënyrë abuzive dhe kompani fantazmë që punojnë pa leje, gërryejnë çdo ditë parkun kombëtar të Dajtit, për të nxjerrë gurë gëlqerore dhe pa u shqetësuar nga asnjë institucion shtetëror.
Report TV ishte në guroret ku nxirret guri gëlqeror. Prania jonë ka shqetësuar menjëherë punonjësit e këtyre kompanive, të cilët na kanë vëzhguar gjatë gjithë kohës.
Kjo masakër mjedisore mund të dallohet fare qartë edhe në “Google Maps”, ku duken zonat që janë zhveshur nga pyjet.
Ndërkohë jashtë kamerave banorët e fshatit Kasall thonë se eskavatorët dhe kamionët punojnë gjatë gjithë kohës.
Në këtë gurore bëhen shpërthime gjatë natës dhe ditën vijohet me transportin e gurëve.
Për t’ju shmangur “syrit” të qytetarëve kompanitë kanë zgjedhur që të gërryejnë pjesën e pasme të Malit të Dajtit, ku shihet qartë dëmtimi që i është bërë natyrës.
Ministria e Mjedisit thotë se nuk janë dhënë leje mjedisor në Parkun e Dajtit për gurore.
Por Report TV mëson se janë dy kompani që të cilat kanë përfituar leje mjedisore për të operuar në park.
E para quhet “LIVELADA” e cila e ka marrë lejen në gusht të vitit 2013 nga Qeveria Berisha, vetëm pak javë përpara ndërrimit të pushteteve.
Kompania e dytë quhet “Mexhi shpk”, është pajisur me leje në vitin 2015, dhe e ka zgjatur vlefshmërinë e saj deri në vitin 2017.
Në lejen mjedisore të firmosur nga drejtori i AKM, Julian Beqiri, pohon se subjekti “Mexhi shpk” po ushtron aktivitetin në zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar Dajt”, por e këshillon kompaninë që të ruaj biodiversitetin. Kjo këshillë duket si një hile për të legjitimuar pikërisht shkatërrimin e natyrës, pasi nxjerrja dhe përpunimi i gurit gëlqeror kryhet me anë të shpërthimeve.
Parku Kombëtar i Dajtit, është shpallur me vendim qeverie që në vitin 2006, si zonë e mbrojtur, por duket se tashmë nuk është më i mbrojtur nga guroret që po e gërryejnë çdo ditë.
Shqiptarja/d.i.