Departamenti i Antidrogës në Greqi, në një konferencë shtypi ka dhënë hollësitë e përfundimit të operacionit të nisur dy ditë më parë, që çoi në shkatërrimin e dy grupeve të trafikut, të cilat përdornin lëndët narkotike nga Shqipëria dhe kishin në përbërjen e tyre shtetas shqiptarë.
Grupi i parë u kap pasi u sekuestrua rreth 1 ton kanabis sativa që thuhet se kishte mbërritur nga Shqipëria dhe u arrestuan 7 shtetas grekë, të cilët në një magazinë që i përkiste organizatës kriminale paketonin gjithë sasinë e drogës për ta çuar atë më pas në shtete të Europës perëndimore.
“U shkatërruar një organizatë kriminale që vepronte duke depozituar, paketuar dhe trafikuar sasi të mëdha të kanabisit, me kamionë të linjave ndërkombëtare në shtete të Europës perëndimore”, deklaroi Theodoros Hronopoulos, zëdhënës i policisë greke.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u konfiskuan edhe 20.000 euro, 12 telefona celularë, peshore, mjete të paketimit të drogës, disa automjete, etj.
Përsa i përket grupit të dytë u arrestuan një shofer kamioni dhe shoqëruesi i tij, si dhe një çift shqiptarësh, 31 dhe 33 vjeç, që do merrnin në dorëzim rreth 29 kg kokainë që kishin sjellë dy bashkëpunëtorët e tyre nga Holanda nëpërmjet Italisë.
“Këta persona janë përfshirë në trafikimin e një sasie të madhe të kokainës nga vende të Europës perëndimore drejt Greqisë me kamionë të linjave ndërkombëtare, me qëllim magazinimin, përzierjen e saj me lëndë të tjera dhe ripaketimin e shpërndarjen e saj në tregun e brendshëm”, saktësoi Christos Papazafiris, shef i policisë së Atikës.
Bashkë me kokainën atyre iu gjetën në valixhen e fshehur brenda një kamioni frigoriger 1.5 kg kanabis, një pistoletë, 4.500 euro dhe 11 telefona celularë. Në të dyja rastet të arrestuarit u dërguan në prokuroritë e Athinës dhe të Patrës.