Një dorëshkrim i pabotuar i At Gjergj Fishtës, i cili flet për zhgënjimin e tij përballë politikës së viteve ’20, të shekullit të kaluar.
Dorëshkrimi origjinal per afro 10 faqesh gjendet në Arkivin Qendror të shtetit.Fishta i trembej coptimit të trojeve shqipatre, sipas interesave të grupeve politike, që lirinë e pavarsinë e kishin kthye në një “vlerë” për nevojat e tyre, dhe jo për të mirën e shqiptarve.
Át Vitor Demaj
Tue hulumtue nëpër do dorëshkrime të Át Gjergj Fishtës më ra në dorë edhe ky shkrim i tij i pabotuem me nji randësi të veçantë që i përket vitit 1924. Át Fishta gjatë gjithë jetës së tij mori pjesë në menyrë aktive për zhvillimin moral e material të popullit shqiptar. Ket gja tregon pjesmarrja e tij në ngjarjet ma kryesore të Atdheut. Ky shkrim që po e paraqesim para lexuesit flet për zhgenjimin e Át Gjergj Fishtës përballë politikës së viteve ’20, të shekullit të kaluem. Át Fishta e kishte në zemër përparimin e shoqnis shqiptare, por jo coptimin e saj simbas interesave të grupeve politike, që lirinë e pamvarsinë e kishin kthye si nji “vlerë” për nevojat e tyne, dhe jo për të mirën e shqiptarvet. Át Gjergj Fishta në at kohë ishte deputet e kta kishin fillue të çojshin zanin e tyne për interesa personale. Kjo politikë mbas mendimit të Át Fishtës binte në kundershtim me interesat e popullit shqyptar, me zhvillimin e tij. Qe pra, pse në ket shkrim Poeti Kombtar lshohet pa meshirë ndaj ktyne “parasitve”, pse shifte në ta vetëm regres e jo të ardhme. Po ja lamë në dorë lexuesit që ta lexoj ket testament të Át Gjergj Fishtës që ndoshta mund të sherbej edhe sot si nji nxitje për nji zhvillim politik jo në interesat tribale, por për të mirën e përbashkët të popullit shqiptar.
Át Gjergj Fishta n’Amerik e çashtja e perparimit në Shqypni
Janë tre muej qi A. Gjergj Fishta, Françiskan e Deputat në Kshill Kombtar, gjindet n’Amerikë, e shum kush nder shqyptarë të ktûshem, qi ené s’kam pasë rasë me u pjekë m’Tê, janë interesue të dijn qellimin e t’ardhunit të tij në botë të rè – n’Amerikë. Edhé né të redaksjonit të “Diellit” na ká rá me kênë pvetë mbi ket çashtje; prandej, tue ndollë në kto dit A. G. Fishta ktû në Boston: mbasi edhè ndiesi miqsore të kahershme e njimori idealesh kulture e perparimi e lidhin me Kryetarin e federatës “Vatra”, Z. Faik Konitzen: muerem rasen, nji ditë qi edhe në redakcjon t’onë, t’a pvesim familjarisht, se cili ishte qellimi, qi e kishte sjellë e prue ktû në ket dhé. E qe se shka na u pegjegj Deputati i Shkodrës, mbasi formalisht na deklaroj nji herë mâ para, se s’kishte kurrnji misjon zyrtar prej anet të Qeverisë s’onë.- Po m’vjen fort mirë na thotë qi po m’a lypni ket fjalë, pse kshtu tash po m’bie rasa t’u flas edhé mbi do sende, qi âsht mirë t’i diejn Shqyptarët e Amerikës e sidomos të federatës “Vatra”.
Shqypnija, si dihet, sod âsht e lirë. Shka para ktyne pêsmbdhetë vjetve per né do t’ishte kênë teper n’anderr m’e pasë pa, sod po e shofim të realizueme. Na sod kemi nji Parlament t’onin, nji Qeveri t’onen e nji Kshill të Naltë Regencet, qi pervetson m’vedi suvranitetin e pamvarsin e popullit shqyptar. E as ká mâ turq në Shqypni, as Grek, as Serb, as Italjâj: ká vetëm Shqyptarë të lirë! Triumfi i idealtit t’onë – I Françiskâjve të Shqypnis. Të tanë kombi e di, po, se me sa ndergjegje Françiskâjt Shqyptarë janë mundue t’a kryejnë detyrën e vet ndaj Atdheut, në daçi me mjete kulturale, në daçi tue marrë pjesë aktive nder të gjitha levizjet kombtare per lirin e Atdheut. Ené qet avull gjaku i Françiskanit shqyptar atjé në Kosovë, qi neper bajoneta të Sllavit ju bâ fli Atdheut!Por liria e pamvarsija e nji shtetit nder kombe të gjytetnueme nuk janë per kta, qi ndonji nieri ase ndonji kastë e shtetit mund të losë me fatin e popullit si të duen, pa kontroll të tjervet; shka ndollë nder shtete autokrate e despotike sidomos kombet barbare: por per t’i sjellë të maren popullit, tuj e bâm me perparue materjalisht e moralisht. Prandej, tue kênë se e mara e perparimi i nji populli rrjedhin prej gjêjes s’tij ekonomike e prej shkallet të zhvillimit të mendjes s’tij, merret vesht mirë fillit, se prej nji popull të gjytetnuem, pose se i lirë politikisht lypet qi aj të jetë i lirë edhe ekonomisht, e qi gjytetast e tij të ndollin m’nji shkallë kulture të mjaftuehsme, për të diejt me krye detyrët me ndergjegje e me perdorue tagret me kohë, me vend, me mndyrë; si edhé me pasë aq zotsi, sa me u bâm ballë si duhet e sa duhet nevojave të reja të jetës, në të vuemt e të cilavet rrin perparimi i popujve të gjytetnuem.Si shifet, prá, prej shkallet të kulturës s’nji populli mvaret e gjithë jeta e tij politike e ekonomike, si edhe i gjith perparimi i tij.
Tash un po pves Zotnin t’uej; populli shqyptar, qi sod politikisht âsht i lirë e i pamvarshem, a ka nji shkallë kulture aq të naltë sa me kuptue si duhet e sa duhet detyrët e veta? Puna e tij a prodhon aq sa lypet per të jetue mirë e pau bâ ky robi i huej ekonomikisht? M’at shkallë kulture, n’të celën gjindet sod shqyptari a âsht pernjimend i zoti të perparoj? Kur të vem ore, se sod me sod në Shqypni, pa kênë caktue ené kufijt e sajë e tuj u diejt, se pa nji Qeveri të vendasve shteti s’mund të ket kredit perjashta e vue oroe, po thomë, se në pêsë jave mund të ndrrohen pesë Ministeri: se shqyptarët, të cilt perpara u vritshin kokrra-kokrra, sod vriten çeta – çeta e jo, si motit, per pikë nderit a erzt, por per katër kamë të “kolltukut” të njanjit a të tjetrit Minister a Deputat të kombit: bakajt, hamajt, matrapaza, teneqexhi, kallajxhi, analfabeta gjithfarësh mund të vên sŷ me u njitë nder zyre edhé ma të naltat e Shtetit: se ushtrija e jonë – mprojtja e jetës kombtare – mund të lshohet nder duer oficieresh, qi, para ktyne dhetë vjetve kan vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqyptarët, për arsye qi kta lypshin lirin e jetën kombtare; se nder zyre të Financavet t’ona mund t’u epet punë edhe atyne mehmurve, qi kohen e kalueme kan mujt të jenë teja, a ma mirë me thanë, rrenimi i Financavet të nji Shteti të hyej: kshtu edhe kuer të merret para sysh, se edhe sod Shqyptari, me gjith liri e pamvarsi të veten, han buk thatë e bishta purrijsh, si perpara: se Qeverija s’ka kenë e zoja as të çilë kund nji pash rrugë të re, as të mermetoj kund nji pash aso rrugash, qi na i lanë ushtriët e hueja: se taksa daganore mund të mos vehet mbas interesavet të gjalla të kombit, due me thânë, mbas peprarimit të bujqësisë, të tregtis, t’indrustris e mbas natyret te perpjekunavet t’ona me Shtete të hueja, por mbas nevojes s’kashës s’Financavet, sa per të mbajtë n’kamë zyret me rroga àr, të cilat zyre, masandej, mund do të jenë të hapuna, ndoshta jo aq mbas nevojavet të Shtetit, sa mbas numrit të kushrijvet, të miqvet e të dashamirvet të ministravet e të nënpunsave të naltë të tyne, mjerisht duhet me thânë, se populli shqyptar s’ká kuptimin as ndergjegjen e vertetë të liris politike individuale e kolektive; s’ká zotsin e mjaftueshme, per të mbajtë pamvarsin ekonomike të veten, e se prandej as gjindet n’nji shkalle kulture aq të naltë, sa me sugurue perparimin e vet, pa të cilat vehti nji popull as mund të jetojë e as s’duhet të jetoj si shtet i pavarshem.
Atëherë, mbas fjalvët të Zotniës s’Uej, i thame Deputetit të Shkodres, populli shqyptar as mujka me jetue, as u dashka qi të jetojë i pamvarshem.- Un nuk e thash ket fjalë, na u pergjegj; por fundi aty del. Si janë njerzt e punët në Shqypni, sod me sod kurrkush s’ja shef hajrin pamvarsis s’Shtetit shqyptar, per posë zyrtarësh e parlamentarësh. E po, a per të mbajtë me rroga àr nja tri a katërmij zyrtar, të cilt, jo se janë, por mbas mentalitetit, qi frymzon njerzt e punët në Shqypni, mund do t’ishin edhe asish, qi kam mujtë me vra njerz me pare: qi kan mujtë me vra bulqit per t’u pushtuem tokën: qi kan pushtue tokët “miris”; qi per interese të veta, per nji “qiflluk”, per nji titull do t’ishin gati të pshtyejn n’Atdhé e n’ndiesi mâ shêjte të jetës: vetëm për të mbrojtë, po thom, me rroga àr kta tri a katërmij zyrtar, populli shqyptar do të livroj tokën, do të bâj tregun, do të punoj zanatin, do të marrë shtekun e të kalojë mal e dèt e të vijë n’Amerik të rreshket me natë e ditë m’zjarm të fabrikavet?
Nji pamvarsi kso dore mund të hyj në punë, ndoshta, në Zanzibar, në Marok, në Turki, por jo në Shqipni. Po s’perparoj populli shqyptar moralisht e materjalisht, né pamvarsija s’na duhet gjâ. Lirim, Pamvarsi, Qeveri, Parlament, Kshill i Naltë e s’di shka tjeter s’mund të kenë farë kuptimit per né dér qi populli mos të vêhet m’at shêj vendit qi të perparoj: ja nji lojë fjalësh, per të mbajtë popullin n’errsinë per dobi të do njerzvet qi kuptojnë Qeveri, por jo Atdhé. E ndoshta, shi per ket punë i ngrati populli shqyptar, me gjithse paguen tash dy vjet shtadhetenandë Deputeten, s’ka ené nji statut, s’ka ené nji formë politike të caktueme të shtetit të vet, e âsht i ngushtuem të mbahet per nji ligjë ibride qi s’âsht ekspresjoni i shpirtit të tij e qi kurrsesi s’mund të perkojë me nevojë t’jetës s’gjytetnueme të sodshme.Por, m’tjeter anë, kur të vêm n’ore ushtarët shqyptar, të cilt, per kah dishiplina, per kah shpirti marcial e sjellje n’ushtrime, mund të percaktohen me ushtar t’ushtrive mâ të para t’Europës: kuer të vên n’ore oficerat e rì t’onë (pa) nderlikim besimit qi, rritë me ndiesi kombtare e ushtrue nên dishiplinë të shkollavet ushtarake të do kombeve qi trimnin e burrnin i kan zanat, janë gati të bajnë fli per te mirën e Atdheut, jo vetëm vedin, por edhe shpijat e fshatet e vet: kuer të vên n’ore prap zyrtarët e rì t’onë, qi edhé kta rritë me ndiesi kombtare e frymzue me dashtni atdhetare, jo vetëm qi kan kompetencen e punës por edhé kuptojnë në të gjithë hapsinën e vet detyrën e nderen e zyrevet adminstartive: e sidomos kuer të marrin para sysh ndigjesen e popullit, qi bân, sado qi dron se djersa e tij derdhet kot neper mejhane sidomos të Tiranës, e nep djelmt e vet ushtarë, sado qi shef se s’po i jesin per ballë t’anmikut m kufi t’atdheut, por ferrave e shkarreve mbrenda Shqypnijet per ballë të vllazenvet të vet, tuj luftue per shkas t’ambicjonevet të poshterme të do zyrtarvet, qi janë bâ shqyptar ç’se kan dalë rrogat àr e qi kan kênë, janë e kan me kênë gjithmonë ekspresjoni i regresit e i barbaris azjatike: pse ujku ndron qymen, por jo vesin: tuj marrë para sysh, po thon kto fakte, do të thonë qi populli shqyptar jo veç se mundt të jetojë, por se do të jetoj i pamvarshem.
Gjallnija e shpirtit shqyptar âsht veshkë e jo tha: e kan veshkë mentalitetet e hueja, qi, si bimë parasite n’nji landë, janë shartue m’tê perdhuni; prandej, po mujtem na me i krekcue me kohë kto mentalitete të hueja – kto gallica parasite prej shpirtit shqyptar, pamvarsija, suvraniteti e jeta kombtare e popullit shqyptar janë të sugurueme per gjithmonë.Jemi kryekput nji mendimit me Jue “Uratë”; por si thoni Ju, se mund të pastrohet psikja e popullit shqyptar prej mentalitetevet të hueja, para se të na i pertrihet ndonji rrezik jetës s’onë kombetare e politike? E pvetem ateher A. G. Fishtën, i cili na u pergjigj kso dore.- Mbas mendimit t’em kishe me thânë, se puna ma e pare qi do te bajnë shqyptarët, per të pshtuem kombin prej rezikut, qi i kercnohet per shkjak të ndryshimit të mentalitetevet, âsht ky: mos me lanë të kenë dorë në Qeverinë e n’adminstratë të gjithë njata shqyptarë qi kan kenë edukue mbas mentalitetit sidomos të Stambollit, t’Athinës e të Venedikut; pse, tue kenë kto tri gjytete tri qandra të daluna mifshliz, kto s’kan zotsin t’a rrisin menden e nierit mbas egzigjencavet të kohvet e të vendit, por vetem mbas andrravet të nji lumnis s’kalueme: prandej kultura e ktyne gjytetasvet s’ká mujtë të formoj gjytetas me ndiesi si e lypë nevoja e Atdheut, por kan trajtue, individa të dhanun me mish e me shpirt mbas atyne popujsh, qi motit paten krijue kto tri kultura, aq sa me mrrijt me u quejt me emna të tyne e me lakmue me u bâ robt e tyne.
Shumica e madhe e atyne Shqyptarvet qi i thanë vedit intelektual e qi kan kênë edukue mbas kulturët të Stambollit, deri djé e kan pasë quejtë vehten Turq: si edhe shumica e madhe e shqyptarvet qi kan marrë kulturën e athinës, e quejn vedin edhe sot Grek: fjalën, masandej qi e thanë sod Italjajt si stava meglio, quando si stava peggio – Ishim ma mirë, kuer ishim ma keq, si me thanë, ishim ma mirë rob nen Austri se të lirë nen Itali – nuk e kan qitë jo, Pjemontezt e as Kalabrezt, por Venedikët, qi kan kênë nen Austri qi per shkjak të kulturës e të mentalitetit të vet bibude mrrijnë, ndoshta per nji kusi pulender ma teper, të lakmojnë thundrrën e çizmevet të Tedeshkut, ma fort se lirin kombtare: si çifutnit motit dishruen ma fort qeptë e Misirit se Atdhen e të parvet të vet.
Át Gjergj Fishta
Shqyptarët, të cilt perpara u vritshin kokrra-kokrra, sod vriten çeta – çeta e jo, si motit, per pikë nderit a erzt, por per katër kamë të “kolltukut” të njanjit a të tjetrit Minister a Deputat të kombit Bakajt, hamajt, matrapaza, teneqexhi, kallajxhi, analfabeta gjithfarësh mund të vên sŷ me u njitë nder zyre edhé ma të naltat e Shtetit Ushtrija e jonë – mprojtja e jetës kombtare – mund të lshohet nder duer oficieresh, qi, para ktyne dhetë vjetve kan vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqyptarët, për arsye qi kta lypshin lirin e jetën kombtare Nder zyre të Financavet t’ona mund t’u epet punë edhe atyne mehmurve, qi kohen e kalueme kan mujt të jenë teja, a ma mirë me thanë, rrenimi i Financavet të nji Shteti të huej: Të merret para sysh, se edhe sod Shqyptari, me gjith liri e pamvarsi të veten, han buk thatë e bishta purrijsh, si perpara Qeverija s’ka kenë e zoja as të çilë kund nji pash rrugë të re, as të mermetoj kund nji pash aso rrugash, qi na i lanë ushtriët e hueja /Shqiptarja.com/a.m.