Me dy rregulllore të posaçme të miratuara nga Qeveria synohet rregullimi i tregu të agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë. Në bazë të ligjit të ri për turizmin janë një sërë kriteresh dhe standardesh, që duhet të plotësojnë subjektet që ushtrojnë këto veprimtari.
Element kryesor është mbrojtja e konsumatorit. Në rast falimentimi, operatorët turistikë duhet të rimbursojnë plotësisht klientin. Kjo gjë është e detyrueshme edhe nëse falimenti ndodh gjatë konsumimit të paketës, por në këtë rast agjencia duhet të garantoje kthimin e kilentit në pikën e nisjes.
Për udhëtimet me mbi 10 persona është i detyrueshëm shoqëruesi i certifikuar si udhërrëfyes. Për marrjen e licencave duhet që administratorët të kenë dëshminë e së paku një gjuhe të huaj.
Për ushtrimin e aktivitetit, agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë duhet që të kenë mjedise të rrregullta pune, me zyra dhe me afishimin e çmimeve. E gjithë marrëdhënia agjenci-klient duhet të formalizohet me kontratë.
Edhe blerjet e shërbimeve online të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, duhet të garantohen me ligjin e nënshkrimit elektronik.
Rregulloret i detyrojnë agjencitë që brenda tre ditësh t’i përgjigjen çdo ankese të klientit./tch/a.k