Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u ka dërguar një letër të gjithë firmave të shitjes së karburantit me pakicë, ku u kërkon marrjen e masave shtesë në përputhje me ligjin. Kjo kërkesë vjen pas disa ngjarjeve të fundit ku pika shitjeje të karburanteve kanë rënë pre e grabitjeve, duke u shkaktuar humbje të shumave të konsiderueshme financiare dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të firmave.
“Megjithëse punën e bërë dhe masat e marra për parandalimin, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve, një sërë rrethanash objektive, kanë shërbyer si nxitës për disa ngjarje kriminale, duke cenuar jo vetëm punën, por edhe jetën, shëndetin dhe sigurinë publike në tërësi”, shkruan ministri Tahiri në letër.
Në letrën e dërguar sot në mesditë, ministri Tahiri u kërkon administratorëve të subjekteve tregtare që shesin karburant me pakicë, të vënë në përdorim automatet elektronike për pagesën e furnizimit me karburant; vendosjen e kamerave me rezolucion të lartë dhe infra të kuqe, si dhe të lidhin çdo pikë karburanti me sinjal alarmi me sallën e komandimit.
Sipas ministrit, nisja e këtij procesi sa më parë shton dukshëm premisat për të parandaluar tërësisht ngjarjet kriminale në këtë sektor.
Ministri siguron se “MPB dhe Policia e Shtetit do të jenë një mbështetje e vazhdueshme në kuadër të rrugës së përbashkët për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt, ekonomi të shëndoshë dhe sundim të ligjit”. Afati për zbatimin e këtyre masave është 6 muaj, duke nisur nga 1 nëntori 2016. ma.me