Nga Andreas Ernst, Neue Zürcher Zeitung
Shumë gjëra i ndajnë Aleksandrin me Edin.
Njëri ka qenë ushtar i partisë, tjetri ka qenë artist në jetën e mëparshme.
Aleksandri është gjaknxehtë, Edi i pëlqen shumë provokimet.
Kjo e bën marrëdhënien e tyre shpesh të trazuar.
Sidomos për shkak se njëri është serb dhe tjetri është shqiptar.
Veçanërisht përplasje mes tyre ka kur bie fjala për Kosovën.
Por të dy e kanë një të përbashkët: janë nga dy metra të gjatë dhe janë të pajisur me një ego të konsiderueshme.
Opozitën nuk e tolerojnë, sidomos në punë.
Të dy bëjnë të njëjtën punë: Aleksandar Vuçiç është kryeministri i Serbisë, Edi Rama është kryeministri i Shqipërisë.
Por ajo që i bashkon është admirimi për një grua: Angela Merkel.
Mund të duket e habitshme, sidomos duke pasur parasysh rënien e popullaritetit të kancelares dhe kritikat e shumta që po i bëjnë komentatorët.
Por nëse i heq sytë nga panorama gjermane dhe i hedh në Ballkan, sheh diçka krejt ndryshe: këtu kancelarja gëzon respekt dhe simpati në popullatën e gjerë.
Kur Aleksandri dhe Edi flasin për Angelan, nuk ka veçse deklarata dashurie.
Në një diskutim kokë më kokë në Forumin e Sigurisë në Beograd, Edi Rama pyet: “Ku do ishin vlerat europiane, nëse gjatë krizës së refugjatëve, Berlinin nuk do e qeveriste Angela Merkel, por Orban”.
Aleksandri ia ngul sytë.
“Ajo është e vetmja që mendon për ne. Ajo na telefonon direkt kur kemi probleme dhe na tregon se çfarë duhet të bëjmë,” thotë ai.
Edi kërkon të shtojë diçka, por Aleksandri nuk ia lë radhën.
“As BE, as Komisioni nuk mund ta zëvendësojë atë. Kur bie fjala, ka vetëm një emër: Angela!”
Më pas e ul pak zërin: “Njerëzit e mi më këshillojnë: Nuk e sheh se çfarë po i ndodh asaj në sondazhe”.
Edi e ndërpret: “Jo, jo, ajo do zgjidhet sërish”.
Aleksandri e ngre sërish tonin: “Unë nuk kam turp. Çfarë do që të ndodhë, do jem krah saj”.
Pastaj Aleksandri dhe Edi nisin të zihen sërish për Kosovën.