Sasi e madhe e drogës e kapur dje në Athinë, që vinte nga Shqipëria e për të cilën u prangosën 6 persona dyshohet se i përket Klement Balilit, i etiketuari si Eskobari i Ballkanit.
Kështu shkruajnë sot mediat greke duke dhënë detaje rreth operacionit të djeshëm finalizuar me sekuestrimin e më shumë se 1 ton marijuane në Afidnes, në periferi të Athinës.
Sipas medias greke, Klement Balili është ende i lirë, edhe pse ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet greke, si menaxheri dhe financuesi i rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës në Evropën Qendrore nëpërmjet Greqisë.
Dje, media greke shkruante se 6 persona përfunduan në pranga, disa prej tyre shqiptarë. Në orët e mbrëmjes është bërë me dije se aksioni ishte në vazhdim, pasi policia po kryente kontrolle banesash e automjetesh.
Marijuana e sekuestruar mësohet se vinte nga Shqipëria dhe do të transportohej në Europën Veriore. Aksioni i forcave të policisë greke kishte nisur prej disa ditësh, duke vënë në survejim një kamion të dyshimtë. Pasditen e së enjtes, agjentët ndoqën kamionin, i cili hyri në një magazinë në periferi të kryeqytetit grek.
Menjëherë nisi operacioni që mundësoi arrestimin në flagrancë të trafikantëve. Bëhet me dije se mes të dyshuarve është edhe një baron grek, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Autoritetet greke njoftojnë se do të dalin të premten me një komunikatë për shtyp, për detaje të mëtejshme dhe për këtë arsye ditën e djeshme nuk janë dhënë shumë detaje për aksionin apo edhe emrat e personave të arrestuar.
Panorama/d.i.