Për deputetin Ben Blushi, Kosova ka pasur dhe ka dy pengesa për të qenë plotësisht e pavarur: njëra është politike që ka të bëjë me raportin me Serbinë dhe tjetra është kulturore dhe lidhet me pavarësinë nga Shqipëria.
Polemikat e shkaktuara ditët e fundit pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd, deputeti Blushi i cilëson si një shteg të panjohur dhe të papritur që padyshim do zgjidhet pa armë, pa viktima e pa gjak.
Në një status në faqen e tij në Facebook, Blushi thekson se kjo është Pavarësia e Dytë e Kosovës, ose ndryshe Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria.
“Kosova është sot plotësisht e pavarur nga Serbia. Por me sa duket nuk i kanë mbaruar problemet. Kur shoh debatet e ditëve të fundit mendoj se ka hyrë në një shteg të panjohur dhe të papritur që pa dyshim do ta zgjidhë pa armë, pa viktima dhe pa gjak, por me art, me muzikë dhe me sport. Kjo është Pavarësia e Dytë e Kosovës ose ndryshe Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria”, shkruan Blushi.
Panorama/d.i.