Gjykata e Vlorës ka dënuar me burgim të përjetshëm dy pronarët e një lokali në Dhërmi, të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen dhe torturimin e kamerierit Denis Vyshka.
Vrasja makabre ka ndodhur më 14 gusht të vitit 2014 në mjediset e lokalit. Kështu, Gjykata ka dënuar me burgim të përjetshëm Altin Ymerin dhe Ersi Ziflajn, si edhe me 35 vjet burg Miklovan Zymerin, që i ndihmoi dy pronarët të kryenin masakrimin e të riut.
Vendimi u dha sot nga gjyqtari Laurent Fuçia raporton Panorama. Pronarët e lokalit në Dhërmi e torturuan kamerierin duke i fikur cigaret e ndezura në trup pasi e akuzuan atë se kishte vjedhur 500 mijë lekë të vjetra nga xhiroja e lokalit.
NGJARJA
Në datën 14.08.2014, rreth orës 03:00, Altin Ymeraj dhe Ervis Zylfaj kanë vënë re se në lokalin e tyre mungonte shuma prej 500 mijë lekësh dhe për këtë arsye Altin Ymeraj ka dërguar shtetasin Eris Zilkaj të thërriste gjithë stafin e lokalit.
Pasi ka ardhur gjithë stafi dhe janë futur brenda në lokal, i kanë rreshtuar dhe i kanë thënë se i mungojnë 500 mijë lekë dhe ata duhet t’i gjenin kush i kishte vjedhur.
Shtetasi Altin Ymeraj mbante në dorë një vegël bujqësore dhe duke i kërkuar kush i kishte vjedhur lekët, ka gjuajtur me veglën që mbante në dorë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Denis Vyshka”. Sipas organit të akuzës, janë marrë dëshmitë e tetë punonjësve të ndryshëm të lokalit, të cilët kanë konfirmuar dhunën ndaj kamerierit nga Elbasani.
“Nga deklarimet e punonjësve të lokalit, D. S., R. Sh., A. Sh., A. O., E. T., S. M., F. K. dhe K. C. ka rezultuar se shtetasit Miklovan Zymeri, Altin Ymeraj dhe Ervis Zylfaj kanë qëlluar dhe torturuar me mjete të ndryshme të forta shtetasin Denis Vyshka. Pas goditjeve të vazhdueshme Zylfaj dhe Zymeri e kanë hedhur Denisin në bagazhin e automjetit të tyre tip ‘Ford Focus’ me targa AA 417 AI.
Në momentin e largimit, Altin Ymeraj i ka thënë ‘futini një plumb kokës’”, vazhdon deklarata e Prokurorisë për krimin. Sipas saj, makina e krimit drejtohej nga Zylfaj, ndërsa Zymeri vazhdonte e godiste Denisin nga sedilja e pasme. “Ata kanë shkuar për në Dhërmi dhe janë kthyer pasi kanë folur në telefon me Altinin dhe u kishte thënë se ka ardhur policia. Kur janë kthyer përsëri te lokali, i kanë thënë Altinit se Denisin e kishin lënë në fund të rrugës”.
AUTORËT: E TORTURUAM PËR PARATË
Sipas Prokurorisë së Vlorës, vetë të arrestuarit kanë pranuar se kanë qenë ata autorë të vrasjes së Denis Vyshkës. “Nga deklarimet si persona ndaj të cilëve zhvillohen hetimet ata e pranojnë faktin se e kanë qëlluar duke e akuzuar viktimën se i kishte vjedhur shumën prej 500 mijë lekësh.
Goditjet dhe rrahjet kanë zgjatur për rreth tri orë. Nga këqyrja e kufomës ka rezultuar se në trupin e viktimës janë konstatuar dëmtime të shumta: djegie me cigare në pjesë të trupit, në pjesën e qafës është konstatuar një shirit ekimatik në trajtë horizontale, shenjë kjo që tregon se viktima është lidhur në këtë pjesë të trupit”.
Në këto rrethana, dyshohet se shtetasit Altin Ymeraj, Eris Zylfaj dhe Miklovan Zymeri kanë kryer veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 79/e dhe 25 i Kodit Penal. Sipas Prokurorisë, po pritet ende akti i ekspertizës mjeko-ligjore që do të përcaktojë se kur ka ndodhur vdekja e kamerierit. Trupi i tij u gjet rreth orës 10:50 nga disa kalimtarë të rastit në zonën bregdetare./a.m.