Prej 15 ditësh Policia e shtetit ka vënë në zbatim planin operacional të patrullimit të kufirit bregdetar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Delta Force me qëllim parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike.
Urdhri i drejtorit të përgjithshëm është vënë në zbatim në mbarë vendin, ndërsa Top Channel ndoqi nga afër një patrullim në Kepin e Rodonit, një zonë kjo ku muajt e fundit ka patur aktivitet të shtuar të tentativave të trafikimit të kanabisit përmes Adriatikut.
Rreth 270 forca policore zhvillojnë çdo natë patrullime të ngjashme edhe në Patok, Seman, Rradhimë, Zvërnec, Sarandë, Himarë dhe Borsh, ndërsa gjatë natës për monitorimin e situatës, Forcat Speciale përdorin kamerat termike.
Por krahas monitorimit të kufirit bregdetar, një vëmendje e veçantë për parandalimin e trafikimit të narkotikëve i është kushtuar edhe zbulimit të rasteve përmes pikave të kalimit kufitar.
Trafikantët e fshehin drogën në vende të posaçme të modifikuara në mjete të ndryshme, kryesisht kamionë, por edhe makina private. Sipas autoriteteve italiane gjatë 10 muajve të fundit nga porti i Durrësit ka arritur të kalojë vetëm një ngarkesë e vogël kanabisi.
“Janë konstatuar 11 raste, nga të cilat dy janë me heroinë dhe një rast me kokainë, rastet e tjera janë me kanabis sativa. Puna jonë këtu monitorohet edhe nga porti i Barit dhe ai i Ankonës. Tani që po flasim në portin e Barit dhe të Ankonës është konstatuar vetëm një rast me një sasi të vogël kanabisi. Kjo do të thotë që do të thotë se proceduarat e kontrollit në këtë port janë permanente”, shprehet Boge Budini, drejtor i kufirit, Durrës.
Krahas intervistimit dhe kontrollit në vijën e dytë , për zbulimin e ngarkesave të narkotikëve, policisë i vjen në ndihmë edhe skanimi i mjeteve.
d.i.