Ndeshja e mbrëmshme mes dy rivalëve anglezë nuk solli spektaklin e pritur nga tifozët e të dyja palëve. Manchester United e ndali Liverpoolin në një barazim pa gola me një mbrojtje mirë të organizuar, por për ‘Djajtë e Kuq’ ishte një mbrëmje zhgënjyese në krijimin e lojës në fazën sulmuese.
Ekipi i Jose Mourinhos theu një rekord të padëshiruar, duke pasur vetëm 35% posedimin e topit, që është më i ulëti për ta në histori të Premier Ligës.
Për portugezin ky është starti më i dobët me një ekip në vitin e parë si trajner, që prej kohës kur drejtonte Uniao Leirian, kur pas tetë xhirove kishte mbledhur vetëm 10 pikë, ndërsa me United ai ka 14 sosh.
Në fakt, ‘Djajtë e Kuq’ kishin një fillim më të mbarë edhe me trajnerin Louis Van Gaal një vit më parë, ku pas tetë javëve të para numëronin 16 pikë.
Për të mos lënë anash edhe shterpësinë e sulmuesit suedez, Zlatan Ibrahimoviq i cili në 26 goditjet e fundit që ka pasur nuk ka realizuar asnjë gol, derisa në katër xhirot e para ai kishte arritur që pas 15 gjuajtjeve të realizonte katër herë, citohet Koha. (b.an)