Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi tha se ndryshimet në ligjin “Për Barrët Siguruese” rregullojnë situatën problematike dhe përmirësojnë kuadrin ligjor dhe rregullator në lidhje me financimet e siguruara nëpërmjet kolateraleve të luajtshme të paprekshme.
Ministrja ishte e pranishme në Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Ekonomi u shpreh se amendimet që iu bënë këtij ligji në vitin 2013, treguan që ishin të papërshtatshme për realitetin ekonomik dhe sollën konfuzion, boshllëk ligjor dhe një ngërç ne sistemin e kredi dhënies që u reflektua edhe ne gjetjet e Rapotit “Doing Business” .
“MZHETTS vjen me këtë propozim pas komunikimit me shoqatat e biznesit, të bankave, profesoratin, ekspertët e fushës si dhe reflektimit të bashkëpunimit dhe ndihmesës që dha ky komision, duke rregulluar situatën problematike dhe përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator në lidhje me financimet e siguruara nëpërmjet kolateraleve të luajtshme të paprekshme”, tha Ekonomi./a.m.