Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh të hënën se, “bursa e parë shqiptare bujqësore, do të hapet brenda këtij viti në Lushnje, si platforma që do të vendosë Shqipërinë në pozita të favorshme për rritjen e eksporteve dhe perspektivën e zhvillimit”.
Gjatë një konference për mediat, ministri Panariti tha se, bursa do të jetë një pikë reference për blerjet e produkteve bujqësore me shumicë, pakicë por edhe eksportet e tyre.
“Shumë shpejt do marrim hap pionier në bujqësi, do krijojmë bursën bujqësore shqiptare në Lushnjë. I përgjigjet zhvillimit të vrullshëm bujqësor, duhet koordinim i çmimeve në shitje, blerje e eksport për të parandaluar spekulimet për të pasur transparencë. Bursa e parë do jetë platformë e integruar për përcaktimin e çmimeve dhe do bëhen publike. Hap i rëndësishëm, sfidë për ta mbyllur brenda këtij mandati për ti dhënë mekanizëm të balancuar dhe preferencial të çmimeve në prodhim, tregtim, shitje me shumicë e pakicë. Është transformim i madh i bujqësisë që për herë të parë krijon një bursë të produkteve bujqësore që do jetë zhvillim. Do parandalojë spekulantët për konkurrencë të brendshme. Bursa do përcaktojë importet shqiptare. Kjo platformë do e vendosë Shqipërinë në një pozitë të zakonshme”, tha ai.
Duke u ndalur në bilancin e eksport -importeve bujqësore, ministri Panariti vuri në dukje se për 9 mujorin e këtij viti bujqësia ka eksportuar më shumë sesa një vit më parë 2 miliard e 230 milion lekë duke e konsideruar si hap historik i bujqësisë për nga eksporti bujqësor raporton ATA. “Kjo është shoqëruar me rritje të prodhimit të brendshëm. Vetëm sera diellore në krahasim me 3 vite më parë ku kishim 1 mijë hektar, kemi 2400 hektar sera diellore ku merren 3 cikle më shumë prodhim bujqësor. Rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral ka qenë integrale. Kemi rritje në sektorë që se kanë njohur këtë rritje më parë. Kemi hop në eksportet e prodhimeve blegtorale që njohin 1 mijë ton eksport më shumë për 9 mujor. Po ashtu edhe në sektorin e agro-industrisë ku në 9 mujor kemi 3 mijë ton më shumë eksporte se një vit më parë”, tha ai.
Ministri Panariti vuri në dukje në bashkëpunim me institucionet e statistikave po shikohet mundësia e një metodologjie të re, për përllogaritjen e kontributit të bujqësisë në ekonominë kombëtare, duke përfshirë këtu të ardhurat edhe nga sektori i agroindustrisë që nuk janë deri tani./a.m.