Bojkoti i Kuvendit nuk është vendim politik i demokratëve, por Edi Paloka është i mendimit se nuk ka kuptim qëndrimi në Parlament, për sa kohe Edi Rama nuk ka vullnet për reformën zgjedhore.
“Fakti që hedhin poshtë dy kërkesat PD për reformën zgjedhore , do të thotë se Rama deklaron se nuk do zgjedhje dhe nuk ka as ndër mend të luajë rolin që është i gatshëm të bëjë zgjedhje. I njëjti fenomen ndodhi në Dibër, tregoi me arrogancë që votën e shqiptarëve mund ta këmbejë dhe ta bëjë zero me para të drogës me llumin dhe represionin e krimit. Edhe aktet e fundit janë vetëm një konfirmim i gjithë kësaj të vërtete që pret reagimin tonë. Nuk ka asnjë kuptim të flasim për reformën zgjedhore, për mua madje nuk ka kuptim që ne të vijojmë të rrime në atë Parlament, të bëjmë sikur të jemi pjese e këtij shteti dhe vendi, përderisa nuk kemi zgjidhur dhe nuk do të mund të zgjidhim çështjen e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira në këtë vend. Pa vote të lirë nuk ka asnjë proces dhe akt tjetër që mund të konfirmojë se në Shqipëri vijon të funksionojë pluralizimi dhe demokracia”, – thekson Paloka.
Tek ky konkluzion Edi Paloka del pasi socialistët rrëzuan dy kërkesa të opozitës për reformën zgjedhore, votim elektronik dhe financimin 100% nga buxheti i shtetit të fushatave elektorale. Në këto kushte për nënkryetarin demokrat beteja e partisë më të madhe opozitare duhet të jetë vetëm një.
“E kemi deklaruar se zgjedhjet me Edi Ramën kryeministër nuk ka. Beteja ynë e parë dhe finale do jetë beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përderisa është kusht që beteja të zhvillohet pa Edi Ramën beteja jone do të përqendrohet në këtë pikë”,- deklaron numri dy i PD.
2 vite më parë, arsyeja që mbajti opozitën larg Parlamentit, ishte dhuna ndaj deputetit Gent Strazimiri. Marrëveshja e 24 dhjetorit të 2014-ës i riktheu ata në limitet e fundit ligjore të djegies së mandateve. Tashmë me zgjedhjet e përgjithshme në prag ata kërkojnë siguri, të cilën kundërshtari politik nuk ua jep.
ma.me