Shoqëria Aeroclub e Savonës vijon të kërkojë marrjen e avionit të tyre Piper Pa-32 Saratoga, me vlerë rreth 500 mijë euro, që ra në Ishëm rreth një muaj më parë.
Shoqëria ‘Aeroclub’ i dërgoi një letër Ambasadës Italiane në Tiranë, për të kërkuar më tepër informacione lidhur me mënyrën se si do të vepronin autoritetet shqiptare, pasi shoqëria kërkon të marrë avionin. Por sipas mediave italiane, nga Shqipëria nuk ka ardhur asnjë përgjigje në adresë të shoqërisë Aeroclub.
Presidenti i shoqërisë italiane, shprehet i indinjuar, pasi e konsideron paradoksale situatën e krijuar.
“Pavarësisht çështjes së Guido Guidit, një avion i yni me 800 orë fluturim mbahet nën sekuestro në anën tjetër të Adriatikut. Kemi përgatitur planin për të marrë avionin. Një skudër teknikësh është e gatshme të shkojë në Shqipëri. Por tani për tani nuk mund të bëjmë asgjë. Nga Shqipëria nuk kemi asnjë përgjigje. Nuk kemi asnjë informacion zyrtar as për pilotin dhe as për avionin tonë.”- shprehet Mauro Zunino, presidenti i shoqërisë Aeroclub raporton BW.
Avioni ‘Piper Pa-32 Saratoga’ që ngeci në grykëderdhjen e Ishmit rreth 1 muaj më parë drejtohej nga piloti italian Guido Andrea Guidi, i cili sipas burimeve të pakonfirmuara thuhet se kishte pranuar një kontratë prej 20 mijë euro për të transportuar 200 kg marijuanë./a.m.