Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se blloku nuk ka diskutuar sanksionet kundër Rusisë, për shkak të situatës në Siri. Ato janë diskutuar nëpër media, por jo në takimet tona, tha Mogherini për gazetarët në Luksemburg, në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.
“Personalisht synoj të përqendrohem te fakti se BE-ja nuk i ka vetëm sanksionet si mjet. Kemi shumë instrumente të tjera që mund t’i përdorim. Kemi instrumentin e presionit”, tha Mogherini.
BE-ja ka kohë që ka vendosur sanksione ndaj regjimit sirian.
Javëve të fundit, ushtria siriane dhe ajo ruse kanë intensifikuar sulmet ajrore në qytetin Alepo, pjesën e kontrolluar nga rebelët.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar të dielën qeveritë e Sirisë dhe të Rusisë për sanksione të reja ekonomike, nëse vazhdojnë të bombardojnë Alepon.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka përshkruar situatën si “katastrofën më të madhe humanitare”. Ai ka thënë se Rusia duhet ta kuptojë se “kjo luftë nuk mund të përfundojë pa zgjidhje politike”.
Në qytetin e rrethuar të Alepos jetojnë mbi 270,000 banorë. Agjencitë e ndihmës thonë se armëpushimi është urgjentisht i nevojshëm për të furnizuar civilët, përgatiti Koha. (b.an)